E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lubonja përplaset me Bashën/ Pse hesht për vendimin e SHBA? A është i korruptuar Berisha?
Lajme

Lubonja përplaset me Bashën/ Pse hesht për vendimin e SHBA? A është i korruptuar Berisha?

Analisti Fatos Lubonja ka replikuar ashpër me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për vendimin e përhashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Shkak u bë deklarata e Bashës se “nuk e komentonte një vendim të qeverisë amerikane”.

Kjo ka shkaktuar reagimin e fortë të Lubonjës.

“Çfarë do të thotë kjo që nuk komentoj vendimin e qeverisë së SHBA? Ç’kuptim ka kjo? Ju për atë punë jeni? Të komentoni të gjitha vendimet. E pse nuk mund të komentohen vendimet e qeverisë amerikane. Vetë amerikanët i komentojnë vendimet e qeverisë së tyre. a erdhi Biden dhe i rrëzoi vendimet e qeverisë së Trump? E pse nuk mund t’i komentojmë ne?” – tha ndër të tjera Lubonja duke e sfiduar Bashën me një pyetje direkte: “Më thoni zoti Basha, a është i korruptuar Sali Berisha?”.

Basha në krahun tjetër i dha këtë përgjigje.

“Kam komentuar dhe komentoj çdo vendim të SHBA që ka të bëjë me interesin e shqiptarëve. Nuk mund të komentoj një vendim non grata. Unë nuk mund të ndikoj në një vendim të tillë. Përkundër të gjithë presionit të SHBA, BE dhe OSBE dola kundër në çështjen e reformës në drejtësi.

Në këtë rast ka 2 plane, atë etik dhe atë politik. Në planin etik ka folur edhe vete Berisha që një person i shpallur non grata nuk meriton të jetë as kryetar bashkie dhe as deputet.

Vendimet non grata ne nuk i kemi diskutuar asnjëherë. Ky ishte vendimi i parë në krahun tonë dhe na ra kokës. Për 3 muaj me radhë jam përpjekur në dialog të vazhdueshëm me Sali Berishën dhe autoritetet amerikane që të bëja diçka ndryshe nga standardi i vendosur me Tom Doshin, Vangjush Dakon… Në këtë rast duke respektuar kontributin e zotit Berisha kam arritur në përfundimin për pezullimin e tij derisa të zgjidhet çështja gjyqësore.

Nuk i komentoj vendimet e qeverisë amerikane sepse i kemi pranuar si juri kur lexojmë departamentin e DASH për korrupsionin në Shqipëri ndaj nuk mund ta komentoj kur shpallet non grata një anëtar i yni.

Dikush që është non grata nga SHBA nuk mund të jetë shpëtimtari i PD-së” – tha Basha.

Gabove 2 herë me përjashtimin e Berishës

Lubonja i tha kreut të PD-së sepse së pari po bën lojën e kundërshtarit dhe së dyti iu nënshtrua një kërkese nga jashtë pa pasur prova.

“Kjo që ka bërë zoti Basha është një gabim politik. Nuk hyj në etiketime, gabim i dyfishtë politik. Jo shpallja non grata, por përjashtimi meqenëse amerikanët e shpallën non grata.

Është gabim politik që po e tregon koha në terma afatshkurtra, në kuptimin që partia është përçarë më tepër se kurrë. Basha dhe Berisha po asgjësojnë njeri-tjetrin me akuza që i bën dëm kredibilitetit të partisë.

Është gabim politik sepse bën lojën e kundërshtarët i cili bën qejf duke u tallur me këta në parlament dhe qeveris i qetë. Në terma afatgjata është gabim politik për mënyrën se si u bë.

Unë nuk dua të jetoj në një Shqipëri që të jetë koloni. Dua të jetoj si qytetar në vendin tim, ku kryetarin e opozitës e zgjedh elektorati, shqiptarët dhe jo ambasada amerikane.

Dua që cilido qoftë ai, të votohen të provohen se sa mbështetje kanë nga shqiptarët. Në rast se duhet përjashtuar apo jo kjo nuk mund të merrej se kështu tha guvernatorja Yuri Kim, por duke u konsultuar me të gjithë partinë si ka marrë dy vendime të rëndësishme lënin e parlamentit apo hyrjen në çadër.

Ato kanë qenë më të rëndësishme se ky, por dhe ky është një vendim i rëndësishëm. Në qoftë se duam të jemi një parti autokratike legjitimitetin nuk ta jep elektorati, por ambasadorja është traditë e vjetër, enveriste quaje dhe berishiste po deshe, nuk i emancipon shqiptarët.

Ata duhet të jenë aktorë në ndryshimin e fateve të tyre. Basha nuk i ka futur si aktorë. Në këto dy aspekte janë gabime” – tha Lubonja.

Basha iu përgjigj se në PD ka një kulturë debati dhe se kjo forcë ka një orientim proamerikan.

“Ka disa çështje të tjera në PD nuk janë çështje të mendimit ndryshe, por të identitetit të PD. Kjo jo se kështu më pëlqen mua, apo se më është tekur mua, sepse na konvenon një situatë e tillë. Janë të mishëruara në atë që është Kushtetuta e PD.

Një nga këto përcaktime të PD-së ndër to futet dhe antikomunizmi është orientimi pro perëndimor pro atlantik në krah të BE dhe SHBA-ve. Këtu nuk mund të kemi ndryshime mendimi, bëhet fjalë për identitetin e forcës politike” – tha Basha.

DEBATI BASHA – LUBONJA

Lubonja: Të jesh proamerikan nuk do të thotë të jesh promaerikan në çdo gjë që bëjnë amerikanët. Është me strategji.

Basha: Çështja identitare nuk mund të jenë çështje të një personi.

Lubonja: E përcaktojnë shqiptarët, demokratët.

Basha: Ka një arsye për atë që është vendosur në statut. SHBA-të për herë të parë dhe herë të fundit në Europë u rreshtuan në krah tonë për të përmbysur regjimin komunist. Nuk u rrëzua nga vala e parë popullore. Mund të kujtojmë atë që mund të duket abstrakte për shumë, futja në NATO. Ka një nen që thotë se nuk mund të sulmohet, sepse konsiderohet sulm nga SHBA-ve. Kur flasim për çështje të identitetit është një çështje e vendosur para se të ndodhnin këto ngjarje. Statuti i është nënshtruar disa ndryshimeve, kolonat nuk kanë ndryshuar.

Lubonja: Identiteti amerikan është demokraci, që çdo njëri është i pafajshëm deri sa të shpallet fajtor. Ne Amerikën e duam për ca parime. Historia e Amerikës është shumë e komplikuar, ka mbështetur dhe regjime si Pinoceti, unë dua një lider shqiptar që vë dhe strategjinë dhe balancat. Që të bësh sot opozitë, po nuk qe anti ambasador amerikan nuk bën dot opozitë. Ke detyrim të bësh opozitë dhe ndaj disa qëndrimeve amerikane që për një arsye apo disa të tjera, çojnë ujë në mullirin e kundërshtarit politik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.