E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lufta ndaj kanabisit, zbardhet urdhri i fortë i Skënder Hitës
Lajme

Lufta ndaj kanabisit, zbardhet urdhri i fortë i Skënder Hitës

Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme të qeverive për t’i dhënë fund kultivimit të kanabisit, fenomeni vijon të mbetet një sfidë serioze për institucionet ligjzbatuese. Ndërsa vit pas viti kultivuesit ndryshojnë metodat e veprimit, Policia e Shtetit pranon se rezultatet në parandalimin dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal nuk janë në nivelin e kërkuar.

Një shkresë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, drejtuar drejtorive vendore të policisë dhe Departamentit për Sigurinë Publike, evidenton mangësi të shumta në hetimin e rasteve të kultivimit të kanabisit dhe kërkon rritjen e përgjegjësisë së strukturave në terren.

Në dokument thuhet se, ndonëse është në zbatim Plani i Veprimit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2026, gjatë periudhës janar-maj janë konstatuar raste të shumta të kultivimit të kanabisit, kryesisht në ambiente të mbyllura.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, janë evidentuar katër raste të përgatitjes së ambienteve të mbyllura për kultivim me ndriçim artificial, një rast kultivimi në ambient të mbyllur pa llamba dhe 12 raste të kultivimit me llamba. Gjatë operacioneve janë asgjësuar 4.353 bimë dhe 1.515 fidanë kanabisi.

Informacione “fiktive” dhe rezultate të dobëta

Në shkresë, drejtori i Policisë ngre shqetësimin se informacionet operative të mbledhura nga strukturat policore janë në shumë raste të pamjaftueshme, pa rezultat konkret dhe shpesh vetëm për të plotësuar statistikat.

Sipas dokumentit, gjatë pesë muajve të parë të vitit janë administruar gjithsej 3.459 informacione policore, prej të cilave 191 nga informatorët, 2.944 nga burime konfidenciale dhe 285 nga burime të tjera.

Megjithatë, Policia konstaton mungesë informacioni cilësor për grupet kriminale që kultivojnë kanabis në ambiente të mbyllura, të njohura si “shtëpi bari”, si edhe për rrjetet që furnizojnë fara për kultivim.

Kritika për drejtoritë vendore

Në analizën e tij, Hitaj veçon disa drejtori vendore që, sipas tij, kanë sjellë rezultate minimale krahasuar me numrin e efektivëve që kanë në dispozicion.

Mes tyre përmenden Drejtoritë Vendore të Policisë në Korçë, Gjirokastër, Berat dhe Durrës, ndërsa evidentohet edhe numri i ulët i informacioneve të siguruara nga rrjeti i informatorëve.

Po ashtu, dokumenti tregon se janë regjistruar vetëm 132 procedime penale, ndërsa janë hartuar 2.269 dosje për persona me precedentë penalë për kultivim të bimëve narkotike brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, 65 dosje janë arkivuar.

Mangësi edhe te përgjimet parandaluese

Një tjetër problem i evidentuar në shkresë lidhet me përdorimin e përgjimeve parandaluese, të cilat konsiderohen një nga mjetet kryesore për goditjen e grupeve kriminale.

Sipas analizës, gjatë kësaj periudhe janë administruar vetëm 39 kërkesa për përgjime parandaluese ndaj personave të dyshuar për kultivim kanabisi.

Ndërkohë, Drejtoritë Vendore të Policisë në Korçë dhe Gjirokastër nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë të tillë.

Policia evidenton gjithashtu se 18 kërkesa janë kthyer për plotësim, pasi nuk plotësonin standardet procedurale të përcaktuara. Sipas dokumentit, në shumë raste procedimet ishin hapur vetëm një ose dy muaj para kërkesës, informacionet ishin të paplota ose të paverifikuara dhe formularët nuk ishin hartuar sipas modelit të miratuar.

Fokus te personat me precedentë në Europë

Përballë kësaj situate, drejtori i Policisë kërkon intensifikimin e bashkëpunimit me prokurorinë dhe përdorimin më të gjerë të metodave speciale të hetimit.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet identifikimit dhe mbajtjes nën monitorim të personave me precedentë për kultivim kanabisi, përfshirë ata që janë hetuar, arrestuar apo dënuar në vende si Anglia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Sipas dokumentit, eksperienca që këta persona kanë fituar jashtë vendit, veçanërisht në kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, përbën një rrezik të shtuar për rikthimin e këtij fenomeni në Shqipëri.

Përgjegjësi për drejtuesit e policisë

Në fund të analizës, drejtori i Policisë ngarkon me përgjegjësi drejtorët vendorë, zëvendësdrejtorët për Sigurinë Publike dhe shefat e komisariateve, duke theksuar se nuk kanë ushtruar kontrollin dhe mbikëqyrjen e nevojshme mbi strukturat vartëse.

Në shkresë thuhet se nuk janë organizuar kontrolle të mjaftueshme në terren, nuk janë analizuar rezultatet mujore dhe nuk është bashkëpunuar në nivelin e duhur me institucionet e tjera lokale, si njësitë administrative, specialistët pyjorë, OSHEE-ja apo ujësjellësit.

Hitaj kërkon që çdo drejtori vendore të raportojë në fund të çdo muaji mbi ecurinë e hetimeve, rezultatet operative dhe problematikat e hasura, me synim goditjen e kultivimit të kanabisit përpara se prodhimi të dalë në treg.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.