Makiazhi diplomatik nuk e afron Ramën me administratën Trump
Gazetari Basir Çollaku ka analizuar situatën politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Çollakut, kryeministri shqiptar nuk gëzon mbështetjen e administratës së presidentit amerikan Donald Trump dhe, sipas tij, qëndrimi i Uashingtonit ndaj Ramës mbetet i pandryshuar. Ai theksoi se, pavarësisht përpjekjeve të fundit të kreut të qeverisë për të ndërtuar një imazh pozitiv në raport me SHBA-të, realiteti politik flet ndryshe.
Gazetari solli si shembull simbolik ftesën dhe vlerësimin publik që presidenti amerikan i bëri presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë diplomatik. Sipas tij, ky veprim tregon se Rama ka hasur barriera serioze në raport me administratën Trump dhe se rruga e tij drejt kësaj administrate është gjithnjë e më e vështirë.
“Fakti që presidenti Trump ftoi zonjën Osmani, e vendosi në podium dhe iu drejtua me një gjuhë dashamirëse para gjithë botës, është një mesazh shumë i qartë. Ndërkohë, individi që ndodhet në Tiranë ka gjithnjë e më shumë pengesa për t’iu afruar kësaj administrate”, u shpreh Çollaku.
Ai shtoi se, sipas tij, Rama ndodhet përballë një dileme të brendshme dhe një “kompleksi të shtuar”, duke përmendur edhe qëndrimet e vëllait të kryeministrit në forume ndërkombëtare, ku janë artikuluar thirrje kundër Trump-it.
Në vijim, Çollaku tha në emisionin “SYRI Digjital” se distancimi i Ramës nga administrata Trump nuk është rastësor dhe se, sipas tij, faktorë të ndryshëm politikë dhe diplomatikë kanë ndikuar që kryeministri shqiptar të mbahet larg kësaj sfere vendimmarrëse.
Sipas gazetarit, ky distancim nuk ka cenuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara, por është fokusuar te figura e kryeministrit, për të cilin ai u shpreh se mbart probleme të shumta politike, diplomatike dhe personale që ende nuk janë zgjidhur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



