E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Makina luksoze në shënjestër të Policisë në Lezhë, bllokohet “Rolls-Royce”
Lajme

Makina luksoze në shënjestër të Policisë në Lezhë, bllokohet “Rolls-Royce”

Policia e Lezhës ka ndërmarrë një aksion të posaçëm ndaj automjeteve luksoze që qarkullojnë në qytet, duke vendosur në fokus verifikimin e origjinës së tyre, mënyrës së përfitimit dhe burimit të pasurisë së personave që i disponojnë.

Në kuadër të kontrolleve, shërbimet e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Policinë Rrugore, kanë ndaluar dhe bllokuar një automjet të markës luksoze “Rolls-Royce”.

Gjatë verifikimeve për dokumentacionin dhe historikun e automjetit, përfshirë të dhënat mbi blerjen, shitjen dhe posedimin e tij, efektivët kanë konstatuar se mjeti nuk dispononte dokumentacionin zyrtar të nevojshëm.

Në këto kushte, automjeti është vendosur në bllokim administrativ, ndërsa materialet e grumbulluara gjatë kontrollit i janë përcjellë strukturave kompetente për vijimin e procedurave dhe nisjen e një hetimi pasuror.

Hetimi do të përqendrohet te pronari i automjetit, shtetasi me iniciale F. M., i cili rezulton me banim në Mbretërinë e Bashkuar. Në fokus të verifikimeve pritet të jetë burimi i pasurisë dhe mënyra se si është siguruar automjeti luksoz.

Sipas Policisë së Lezhës, kontrollet e përbashkëta do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim dhe do të shtrihen te automjete të tjera të kategorisë luksoze.

Operacioni synon evidentimin dhe goditjen e rasteve kur mjete me vlerë të lartë dyshohet se lidhen me pasuri të krijuara nga veprimtari kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit dhe përdorimit të automjeteve të përfituara përmes burimeve të paligjshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.