E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Mamica” i nxjerr kthetrat “Skënderbeut”: Më përjashto!
Lajme

“Mamica” i nxjerr kthetrat “Skënderbeut”: Më përjashto!

Elisa Spiropali sfidon hapur Edi Ramën

Një përplasje e fortë politike po merr formë brenda radhëve të Partisë Socialiste, ku deputetja Elisa Spiropali duket se ka zgjedhur të dalë hapur kundër linjës së kryeministrit Edi Rama.

Në një reagim të gjatë dhe të fortë publik, që lexohet si një sfidë direkte ndaj kreut të qeverisë, Spiropali jo vetëm që mbron qëndrimet e saj kritike, por shkon edhe më tej, duke artikuluar një fjali që ka tronditur brendinë e mazhorancës: “Më përjashto”.

Ky qëndrim vjen në kulmin e tensioneve të raportuara mes saj dhe Ramës, pas kritikave të hapura që deputetja ka shprehur lidhur me mënyrën se si funksionon partia, qeveria dhe vetë shteti.

Në thelb të reagimit të saj, Spiropali ngre akuza të forta për një klimë frike dhe mungesë tolerance ndaj mendimit ndryshe brenda Partisë Socialiste. Ajo paralajmëron se kur debatet e brendshme kthehen në “spektakël ndëshkimor publik”, atëherë problemi nuk është më mospajtimi, por frika ndaj tij.

“Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim”, thekson ajo, duke lënë të kuptohet se presioni ndaj saj nuk është thjesht politik, por edhe institucional.

Në një ton sfidues, Spiropali argumenton se kritikat e saj nuk janë kundër Partisë Socialiste, por ndaj një modeli që, sipas saj, po e dëmton atë. Ajo flet për një rrezik të “drejtorokracisë”, ku pushteti administrativ zëvendëson përfaqësimin politik dhe ku vendimmarrja centralizohet në mënyrë të rrezikshme.

Mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë: nëse kërkesa për meritë, garë, ndarje të pushteteve dhe vetëkufizim të autoritetit konsiderohen shkelje disipline, atëherë përjashtimi është një çmim që ajo është e gatshme ta paguajë.

“Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash interpretohet si tradhti, atëherë nuk kemi më disiplinë, por kërkesë për bindje të verbër”, shprehet ajo.

Në këtë përplasje që po merr përmasa publike, Spiropali shkon edhe më tej, duke e kthyer debatin në një çështje më të gjerë politike: sipas saj, problemi nuk është individi që flet, por sistemi që nuk e duron kritikën.

Deklarata e saj përfundon me një mesazh të qartë dhe të përsëritur disa herë: nëse fjala e lirë dhe mospajtimi nuk pranohen, atëherë alternativa është vetëm një – përjashtimi.

Ky zhvillim pritet të thellojë ndarjet brenda Partisë Socialiste dhe të vërë në provë jo vetëm unitetin e grupit parlamentar, por edhe mënyrën se si funksionon demokracia e brendshme në mazhorancë.

Reagimi i plotë:

Më përjashto

Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik.

Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.

Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas.

Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim.

Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto.

Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.

Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste.

Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik.

Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen.

Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.
Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike.

Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto.

Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto.

Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto.

Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto.

Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim.

Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë.
Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë.

Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat.

Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim.

Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto.

Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër tësaj.

Dhe kjo nuk është çështje personale. Është çështje se si kuptohet politika. Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?

Këto nuk janë pyetje për fatin tim, të cilin e bëj vetë pa ndihmën e askujt. Janë pyetje për mënyrën si qeveriset.

Kërcënimi për përjashtim nga grupi më shqetëson më pak se ideja se mund të normalizohet mendimi që një grupim politik duhet të funksionojë përmes frikës.

Një formacion politik ku askush nuk kundërshton, nuk është i fortë. Është i heshtur dhe duhet ruajtur nga zgripi.

Heshtja politike ka qenë gjithmonë paralajmërim i së keqes.

Jo rrallë, nuk tremb forca reale e kundërshtarit.
Tremb jehona që i bëhet frikës.
Shumë struktura kontrolli mbahen jo aq nga forca e tyre, sa nga përfytyrimi i rrejshëm që të tjerët kanë për forcën e tyre, për mekanizma që mbijetojnë nga frika që prodhojnë. Nëse nuk dakordësohemi as për kaq, më përjashto.

Nëse nuk respektohet e drejta të flas, madje dhe të bërtas, kur familja ime politike fillon të ketë frikë nga fjala, nuk ka dilemë, zgjidhja është 1, më përjashto.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.