Manja vijon përplasjen me Peleshin: Lejove të dominojë cinizmi yt
Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend është shoqëruar me tensione dhe debate të forta, ku në qendër të vëmendjes ishte përplasja mes deputetit të Partisë Socialiste, Ulsi Manja, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Debati nisi pasi Manja kërkoi të merrte fjalën për t’iu përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, por kjo kërkesë nuk u pranua nga drejtuesi i seancës. Refuzimi shkaktoi reagimin e menjëhershëm të deputetit socialist, i cili nga foltorja shprehu pakënaqësinë për mosdhënien e fjalës dhe për mënyrën si u menaxhua situata.
Në fjalën e tij, Manja theksoi se synonte të kërkonte ndjesë publike ndaj kryeparlamentarit për mënyrën si i ishte drejtuar më herët, por sipas tij kjo nuk iu mundësua, pasi, siç u shpreh, në sallë u lejua të mbizotëronte një qasje cinike.
“Zoti Kryetar i Kuvendit meqë qëparë nuk më dhe fjalën për t’ju përgjigjur Sali Berishës, të paktën të të kërkoja dhe ndjesën publike me mikrofon se të ula gradat që ke dhe preferove që në vend të ndjesës publike times me mikrofon, lejove të dominojë cinizimi yt me mikrofon.
Dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës dhe pa mikron është më e fortë se cinizimi i kujtdo në raport me kolegët në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit si deputet prej vitesh, dhe kur ka çështje për diskutim me minutazh të caktuar nuk lejohet replika por në mirëkuptim me kolegun mund të ndryshohet rradha e fjalës.
Ju nuk e patët këtë mirëkuptim. Por ke mirëkuptimin tim të plotë se nuk është kollaj të përballesh me një dinosaur politk si Berisha, që mbijeton në pushtet me mjetet që di të përdore më mirë, shpifjen, baltën, shantazhin dhe gradën që ka marrë së fundmi “non grata”. Se që të përballesh me këtë lloj politik nuk të vjen në ndihmë rregullorja e Kuvendit, përveçse se rregullorja jote”, u shpreh Manja.
Pas përfundimit të kësaj ndërhyrjeje, kryetari i Kuvendit i dha mundësinë deputetit të vijonte fjalën përtej kohës së parashikuar, por Manja refuzoi duke reaguar me tone të ashpra:
“Nuk dua lëmoshë kryetar, në shkelje të rregullores”.
Përplasja mes tyre është një tjetër episod që reflekton klimën e tensionuar politike në Kuvend, ku debatet shpesh marrin ngarkesë të fortë dhe kalojnë përtej çështjeve procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



