Manjani: Vendimi i Kushtetueses rrezikon dhjetëra dosje të SPAK-ut
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka komentuar zbardhjen e vendimit nr. 44/25 të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një kthesë të fortë juridike që vendos kufij të qartë ndaj praktikës së sekuestrimeve masive të celularëve dhe përdorimit pa kriter të të dhënave personale nga SPAK.
Sipas Manjanit, Gjykata Kushtetuese ka riafirmuar parimin se hetimi penal nuk mund të mbështetet mbi shkeljen e privatësisë dhe cenimin e të drejtave themelore të individit, por vetëm mbi respektimin rigoroz të procesit të rregullt ligjor.
Në reagimin e tij, Manjani ngre pikëpyetje serioze mbi fatin e çështjeve penale që janë ndërtuar mbi të dhëna të marra në mënyrë të pakontrolluar nga pajisjet elektronike të sekuestruara. Ai shprehet se mbetet për t’u parë se si do të justifikohet vazhdimi i këtyre proceseve, kur vetë Kushtetuesja ka vendosur standarde të reja dhe të detyrueshme.
Vendimi i Gjykatës, tashmë i bërë publik në formë të plotë, thekson se sekuestrimi i një celulari nuk përbën thjesht marrjen e një sendi, por nënkupton njëkohësisht ndërhyrje në korrespondencën private të individit. Të dhënat elektronike të ruajtura në pajisje si celularë apo kompjuterë gëzojnë mbrojtje kushtetuese dhe konvencionale, si pjesë e së drejtës për jetë private dhe fshehtësi komunikimi.
Sipas këtij vendimi, në rastet kur hetimit i nevojitet një informacion specifik elektronik, organet proceduese mund të kërkojnë vetëm atë të dhënë konkrete dhe vetëm në rrethana të justifikuara qartë. Marrja e të gjithë memories së një pajisjeje elektronike ndalohet shprehimisht. Po ashtu, në rastet kur të dhënat jepen me vullnet nga mbajtësi i tyre, ai duhet të jetë i informuar paraprakisht se po heq dorë nga një e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë. Gjykata thekson se nuk mjafton vetëm vullneti, por kërkohet edhe vetëdije e plotë për pasojat juridike.
Edhe në rastet e sekuestrimit të detyruar, procedura lejohet vetëm pasi të jetë shteruar më parë mundësia e dhënies së të dhënave me pëlqim të informuar. Në çdo rast, kërkohet një vendim gjykate që autorizon në mënyrë specifike marrjen e informacionit të kërkuar dhe jo përvetësimin e pakufizuar të të dhënave.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur gjithashtu se nuk do të ketë më vend për vendime gjenerike për sekuestrimin e celularëve apo kompjuterëve, pa përcaktuar qartë se çfarë informacioni konkret synohet të merret.
Manjani thekson se ky vendim rrëzon një pjesë të konsiderueshme të praktikës hetimore të ndjekur deri më tani, ku, sipas tij, shumë çështje janë hapur mbi bazën e sekuestrimeve të përgjithshme dhe përvetësimit të të dhënave private, jo vetëm të personave nën hetim, por edhe të individëve të tjerë.
Ai shprehet se vendimi 44/25 përbën një goditje serioze për procese të ndërtuara mbi të dhëna të marra në mënyrë arbitrare, duke paralajmëruar se këto çështje, herët a vonë, do të duhet të përballen me pasojat ligjore të shkeljeve procedurale.
Në fund, Manjani nënvizon se procesi i rregullt ligjor është garancia e vetme për drejtësinë, duke theksuar se nuk janë emrat apo emocionet ato që mbrojnë shtetin e së drejtës, por respektimi i rregullave dhe standardeve kushtetuese.
Reagimi i Ylli Manjanit:
Jam shumë kurioz të shoh se si do justifikohet mbajtja në këmbë e çështjeve penale të hapura mbi bazën e të dhënave që janë marrë harbutërisht nga memoriet e celularëve!
Vendimi 44/25 i Gjykatës Kushtetuese, i cili më në fund u zbardh, tregon qartë se:
1. Sekuestro e celularëve nuk është sekuestro e një sendi të thjeshtë por njëkohësisht përbën edhe sekuestro të korrespondencës private.
2. Të dhënat elektronike që gjenden në memoriet e celularëve apo kompjuterave janë të mbrojtura nga nenet 35, 36 të Kushtetutës si dhe nga neni 8 i Konventës. Pra janë pjesë e të drejtës për jetë private dhe të garantimit të fshehtësisë së korrespondencës.
3. Kur hetimit i duhet me patjetër një e dhënë elektornike private, gjykata/prokurori vetëm në rrethana të justifikuara mirë lejohet të kërkojnë nga mbajtësi i mjetit/arkivës elektronike private fiks atë të dhënë që duan. Jo të tjerat. Personi që i jep ato më vullnetin e tij, duhet të bëhet me dije paraprakisht se po jep një të drejtë të mbrojtur me Kushtetutë.
Pra “nuk mjafton vullneti por edhe vetëdija reale e mbajtësit të të dhënës”, thotë gjykata.
Ndalohet marrja e të gjithë memories së aparateve elektronike!
4. Edhe sekuestro apo marrja e dhunshme e informacionit elektronik bëhet vetëm pasi të jetë shterruar më parë dakordësia e vetëdijshme e mbajtësit të memories private. Në çdo rast duhet një vendim gjykate që të autorizojë specifikisht të marrjen e të dhënës së kërkuar dhe, jo çdo gjë që gjen aty.
5. Nuk ka më vendime gjenerike sekuestro celularësh apo kompjuterash pa treguar paraprakisht në gjykatë se çfarë informacioni konkret kërkohet të merret.
Ka plot përcaktime të tjera ai vendim, i cili ka vendosur kufinjtë në përdorimin e të dhënave private elektronike për qëllime hetimi.
Tani shihini se si kanë filluar një pjesë e mirë e çështjeve penale nga SPAK.
Me vendime gjenerike sekuestrosh; me vjedhje të të dhënave private nga memoriet e celularëve apo kompjuterave si të personave në hetim dhe, më keq akoma, të personave të tjerë.
Vendimi 44/25 i Gjykatës Kushtetuese u jep dërrmën këtyre çështjeve që kanë nisur në mënyrë harbute me të dhëna të vjedhura harbutshe.
Jam shumë i vetëdijshëm që njerëzia e etur për gjak e dhunë, ose e ngelur shtatzënë mendërisht duke pritur video me seks që mund të ketë vjedhur SPAK.
Por kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje me proçes të rregullt ligjor. Një ditë, diku, dikush do duhet ti hedhë në kosh këto proçese.
Sa më shpejt të ndodhë kjo aq më me pak kosto për ne.
E përsëris:
Proçesi është garancia jonë, jo emrat konkretë, aq më pak bëmat e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



