Marigleni i “Lajbrixhit” shpall fituese kompaninë pranë fondit limit
Hedh poshtë ofertën më të lirë
Bashkia e Librazhdit shpall fituese kompaninë “B93 II”, e cila përfitoi 98.44% të fondit limit. Oferta më ekonomike u skualifikua, ndonëse do t’i kursente buxhetit rreth 94.2 milionë lekë të vjetra.
Një tjetër procedurë prokurimi publik në Bashkinë e Librazhdit ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të garës dhe përdorimin e fondeve publike. Tenderi për projektin “Sistemim asfaltim i rrugës së fshatit Librazhd Katund – Faza II”, me numër reference REF-89537-06-10-2026, ka përfunduar me skualifikimin e ofertës më të ulët financiare dhe shpalljen fituese të një kompanie që paraqiti një ofertë dukshëm më të lartë.
Procedura është zhvilluar nga Bashkia e Librazhdit, e drejtuar nga kryebashkiaku Mariglen Disha, me një fond limit prej 58,332,793 lekësh pa TVSH.
Në përfundim të garës, fituese u shpall kompania “B93 II” sh.p.k., në pronësi të Ardit Liçajt, me një ofertë prej 57,425,600 lekësh pa TVSH.
Fituesi mori 98.44% të fondit limit
Shifrat e tenderit tregojnë se oferta fituese ka qenë pothuajse sa fondi maksimal i parashikuar nga bashkia.
- Fondi limit: 58,332,793 lekë pa TVSH
- Oferta fituese: 57,425,600 lekë pa TVSH
- Përqindja e fondit të përfituar: 98.44%
Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është vetëm 1.56%, një element që në praktikën e prokurimeve publike konsiderohet shpesh një tregues që meriton verifikim për nivelin real të konkurrencës.
Oferta më e lirë u skualifikua
Në procedurë morën pjesë katër operatorë ekonomikë me ofertat e mëposhtme:
- “Vëllezërit HYSA” sh.p.k. – 49,571,991.56 lekë
- “B93 II” sh.p.k. – 57,425,600.00 lekë (fitues)
- “L.T.E CONSTRUCTION” sh.p.k. – 58,208,290.00 lekë
- “2Z Konstruksion” sh.p.k. – 58,285,248.00 lekë
Oferta e paraqitur nga “Vëllezërit HYSA” ishte më e ulëta në garë dhe, në aspektin financiar, do t’i kursente buxhetit të bashkisë 7,853,608.44 lekë pa TVSH krahasuar me ofertën fituese.
Me përfshirjen e TVSH-së, diferenca arrin në rreth 94.2 milionë lekë të vjetra, një shumë e konsiderueshme për buxhetin vendor.
Pavarësisht këtij kursimi të mundshëm, administrata e Bashkisë së Librazhdit vendosi të skualifikojë ofertën më ekonomike dhe t’ia japë kontratën kompanisë “B93 II”.
Dy kompani pranë fondit limit
Dy operatorët e tjerë pjesëmarrës në garë paraqitën oferta pothuajse identike me fondin limit, duke e lënë ofertën e “Vëllezërit HYSA” si të vetmen me një diferencë të ndjeshme financiare.
Ky konfigurim i ofertave, së bashku me përzgjedhjen e kompanisë që ofroi një çmim shumë më të lartë se oferta më ekonomike, ngre pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe transparencën e vendimmarrjes.
Mbetet për t’u sqaruar se cilat kanë qenë arsyet ligjore dhe teknike që çuan në skualifikimin e ofertës më të ulët dhe pse Bashkia e Librazhdit zgjodhi një ofertë që rëndon më shumë buxhetin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco







