E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Marku zbulon e-mailet nga Universiteti i Kamzës: Si shtyhen provimet se studentët shoqërojnë Ramën në fushatën e…
Publik News

Marku zbulon e-mailet nga Universiteti i Kamzës: Si shtyhen provimet se studentët shoqërojnë Ramën në fushatën e…

MARK MARKU

Gjatë gjithë debatit që po zhvillohet këto ditë për gjendjen e mjerueshme dhe kaotike të arsimit të lartë në Shqipëri, përfaqësuesit e qeverisë dhe Kryeministri Rama janë shprehur shpeshherë se problemet i ka vetëm Universiteti i Tiranës, se ato janë probleme të brendshme dhe se, madje, këto probleme ndodhin vetëm nga që ky është i vetmi universitet ku shumicën e bordit të administrimit nuk e ka qeveria. Në universitetet e tjera, ku qeveria ka shumicën në bordin e administrimit, kanë deklaruar përfaqësuesit e qeverisë, nuk ka probleme, puna shkon fjollë.

Dhe është sjellë shpeshherë si model rasti i Universitetit Bujqësor të Kamzës. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Realiteti i këtyre universiteteve ku sundon qeveria është ku e ku më i zymtë se ai i Universitetit të Tiranës, me një ndryshim të vogël, se ndërsa në Universitetin e Tiranës ka ende zëra që e denoncojnë këtë realitet, në universitetet e tjera këto zëra mungojnë për shkak të represionit të politikës mbi profesoratin dhe mendimin e lirë akademik.

Meqenëse qeveria i referohet modelit të Kamzës si model suksesi, po sjell në vëmendjen e opinionit publik se ç’masakër po ndodh atje. Javë më parë, Kryeministri Rama u shfaq në Berat me një grup studentësh të këtij universiteti në një aktivitet propagandistik të qeverisë për bujqësinë e rilindur. Të gjithë e panë se si Kryeministri ynë hokatar bënte batuta me një student nëse do të flinte apo jo me një nga studentet e shumta që ishin në atë takim. Batutë “e mprehtë” si të gjitha batutat e Kryeministrit dhe të qeshura me zor siç qeshet përherë në Shqipëri me batutat e liderëve të mëdhenj, prej sa është krijuar ky farë shteti.

Drama qëndron në faktin se në atë maskaradë merrnin pjesë 300 studentë të Universitetit Bujqësor, të cilët prej mëse dy javësh kishin ndërprerë sezonin e provimeve për t’i rënë kryq e tërthor Shqipërisë dhe për të duartrokitur herë ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshin, e herë Kryeministrin Rama, në një tip projekti të quajtur AZHBR që nuk e kuptojnë as bujqit e gjorë për të cilët bëhet, as qytetarët shqiptarë të cilëve u propagandohet. Mendoni, studentë që ndërpresin sezonin e provimeve për të marrë pjesë në aktivitete qeveritare.

Është e kotë të themi se një çmenduri e tillë s’i ka shkuar ndërmend as Enver Hoxhës, as Duçes, besoj as Gedafit. Enver Hoxha i nxirrte studentët nëpër aksione, i çonte nëpër zbore, i rraskapiste nëpër parakalime e spartakiada, por sezonin e provimeve e respektonte: as aksion, as zbor, as aktivitete politike. Një gjë e tillë është aq e pabesueshme sa e kam zor ta besoj edhe vetë në momentin që po e shkruaj. Por faktet janë kokëfortë dhe këto dy njoftime të autoriteteve drejtuese të Universitetit Bujqësor janë të pakundërshtueshme. Po i botoj fjalë për fjalë, duke mos korrektuar as mungesën e ë-ve.

Noftimi nr 1 : “Pershendetje! Per shkak te angazhimit te studenteve te MSc (bëhet fjalë për masterin shkencor), kursi I dhe II me aktivitetet e AZHBR ne Ekipin Kombetar te Bujqesise, provimet e planifikuara kete jave do te shtyhen. Datat e reja do percaktohen ne vijim nga Dekanati Pune te mbare!”

Njoftimi nr 2 “Pershendetje! Provimet per studentet e MSc, viti I dhe II, te planifikuara per daten 23 Shkurt do te zhvillohen me date 5 Mars, ora 13:00! Pune te mbare!”

Një rast i tillë i paprecedent ka shkaktuar reagimin e një grupi profesorësh kurajozë e të përgjegjshëm të këtij universiteti dhe përgjigja që ata kanë marrë nga autoritetet drejtuese ka qenë gjithashtu e paprecedent. Dekani i Bujqësisë, Fatbardh Sallaku, i cili është vetë personalisht i përfshirë në këtë fushatë të qeverisë ka mbledhur departamentet dhe u ka bërë një gjyq të mirëfilltë politik profesorëve që kishin reaguar, duke i kërcënuar se një linçim të tillë do ta bënte edhe para asamblesë. Dhuna dhe represioni, si duket, janë praktikë e zakonshme në këtë universitet.

Ajo është sistematike, rutinore dhe ka synim shndërrimin e profesoratit në një masë skllevërish pa asnjë të drejtë. Për mungesë vendi nuk do të botoj këtu një dëshmi rrëqethëse sesi trajtohet profesorati i këtij universiteti, por do ta përshkruaj atë. Në Forumin për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ka ardhur një dokument që tregon sesi çdo profesor i këtij universiteti është i detyruar të plotësojë çdo fundjavë një formular, ku duhet të raportojë për lëvizjet që do të bëjë javën e ardhshme jashtë ambienteve universitare.

Mendojeni, profesorin e mbyllur për tetë orë rresht në godinën e fakultetit pa të drejtë për të lëvizur, pa marrë leje jashtë vendit të punës. Edhe për të shkuar në bibliotekë duhet të lajmërojë përgjegjësin e departamentit apo dekanin, një javë më parë. Ky ngujim i profesoratit në godinat e fakulteteve bëhet edhe më i rëndë kur mendon kushtet e punës nëpër universitetet tona: pa poste pune, pa laboratorë, me biblioteka që hyrjet e fundit i kanë para prishjes me Bashkimin Sovjetik, etj..

Paradokset e modelit universitar kamziot që na paraqet Kryeministri Rama janë aq mbresëlënëse sa edhe pse banale nuk mund të mos përmenden. Profesori A. B. na paskësh bërë gabimin e madh dhe është dashuruar me një kolegen e vet pedagoge po në atë departament, me të cilën edhe është martuar. Por fill pas kësaj “gjëme”, me një vendim, të datës 26.09.2016 të firmosur nga Rektori i UBT-së, prof. Bari Musabelliu dhe Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, prof. Fatbardh Sallaku, pedagogu është larguar nga departamenti ku punonte prej 7 vitesh me pretekstin e “konfliktit të interesit”.

Por po këta drejtues p.sh. nuk mendojnë se ka konflikt interesi kur në të njëjtin universitet punojnë edhe zv/rektori edhe djali i tij, edhe nusja e djalit. Ja pra, ky është modeli i universitetit që na ofron Kryeministri Rama. Një universitet i shndërruar në aneks të politikës, një universitet ku profesori trajtohet si skllav dhe ku e vetmja gjë që nuk duhet të bëjë është të shprehë mendimin e vet, një universitet ku profesorit i duhet të marrë leje edhe për të bërë shurrën, një universitet ku profesorët duhet të marrin leje edhe se me kë duhet të dashurohen dhe martohen, një universitet që i heq studentët nga sezoni i provimeve dhe i çon ata në Berat për të duartrokitur Kryeministrin dhe buzëqeshur nga zori me batutat e tij.

Këtu bëhet më e qartë ajo që po ndodh prej dy vitesh në Universitetin e Tiranës. Qeveria, në bashkëpunim me një kastë abuzuesish të burokracisë universitare dhe shërbëtorë të të gjitha qeverive, e kanë bllokuar UT-në duke penguar organet e zgjedhuara akademike si rektori, senati me qëllimin e vetëm, kontrollin politik të këtij universiteti. Sepse këtu, me gjithë problemet që ka universiteti, ka ende një frymë lirie dhe mosnënshtrimi. Sepse këtu, ende profesorati lufton për të drejtat e tij. Sepse këtu, ende profesorati nuk i nënshtrohet klanit mafioz universitar që, në bashkëpunim me klanet mafioze politike, kërkon të nënshtrojë universitetin.

Natyrisht, shenjat e nënshtrimit që ka gjunjëzuar universitetet shqiptare janë të shumta edhe në UT. S’ka vetëm një javë që gazeta “Panorama” denoncoi një akt të turpshëm të ndodhur në Fakultetin e Drejtësisë, ku autoritetet drejtuese të këtij fakulteti, që drejtohet nga një ish-prokuror i regjimit të Enver Hoxhës, u kërkonte pedagogëve të bashkëpunonin me fondacionin “Qemal Stafa” të Partisë Socialiste.

Ky model skllavërie mendore po tenton të imponohet në gjithë sistemin e arsimit të lartë. Në Universitetin publik dhe atë privat. Madje, në universitetin privat ky politizim është shfaqur më brutalisht. Pedagogët e Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare po e denoncojnë këtë skllavëri. Dhe po e bëjnë për të gjithë. Edhe për ata që, të gjendur në rrethana ku u rrezikohet vendi i punës dhe buka e fëmijëve prej feudalëve të burokracisë universitare dhe feudalëve të politikës, heshtin.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.