E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Masat anti-COVID: A është në skenar mbyllja e plotë?
Publik News

Masat anti-COVID: A është në skenar mbyllja e plotë?

Qeveria ka ndërmarrë një tjetër hap pas në drejtim të masave anti-COVID. Pas mbylljes së bareve dhe restoranteve pas orës 22:00, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur po ashtu që të ndalojë të gjitha grumbullimet me më shumë se 10 persona në ambientet e hapura dhe ato të mbyllura. Në fakt, ceremonitë martesore kanë qenë të ndaluara që në muajin maj, po ashtu edhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore. Por, në urdhrin e ri të firmosur nga ministrja Manastirliu është saktësuar se çdo grumbullim me më shumë se 10 persona do të jetë i ndaluar.

Në merakun e qeverisë është po ashtu ndalimi i mbledhjeve partiake dhe tubimeve. “Pas masave me intensitet të moderuar, me kufizimin e lëvizjes pas orës 22:00 dhe kufizimit të aktivitetit të bareve dhe restoranteve pas orës 22:00 të darkës, nisur nga vlerësimi në dinamikë i situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është e nevojshme të ketë masa shtesë të intensitetit mesatar për të frenuar përhapjen e infeksionit. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik i Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra, kemi vendosur: Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura, të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet si edhe të ndalohen konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”, tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico. Por, duket se nga ky rregull do të ketë edhe përjashtime. E pyetur sesi do të veprohet me urbanët, ku grumbullimet janë më shumë se 10 veta, Fico shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë, por shtoi se masat drastike, deri në mbylljen e lokaleve që konsiderohen një vatër infeksioni do të vijnë në varësi të situatës dhe ezaurimit të kapaciteteve spitalore. “Kjo është një vendimmarrje që kërkon pjesë organizative. Vlerësimi i mbylljes është i parashikuar. Nuk është se nuk i kemi parashikuar skenarët, në një prej të cilëve ndodhemi dhe sot.

Ezaurimi i kapaciteteve spitalore është element i rëndësishëm për të konsideruar vijimësinë, për masa drastike të mbylljes së lokaleve. Pa diskutim ne punojmë nga afër me autoritetet lokale që të referojmë këto problematika. Jam e sigurt se do të jetë e menaxhuar në mënyrë që të respektohet një vendim që ka në parim shëndetin”, tha doktoresha. Shkollat po ashtu, lejojnë grumbullime me më shumë se 10 persona, por ato do të vazhdojnë të hapura. “Fëmijët janë pjesa jonë më e ëmbël dhe e dashur. Në vendimmarrjet tona ka qenë dhe ky komponent emocional dhe i shëndetshëm. Do desha t’ju them se në vlerësimin që i kemi bërë situatës në shkolla, kemi vlerësuar se nga hapja e shkollave, pra në këto 8 javë, kemi parë të gjitha mekanizmat. S’ka qenë vendimmarrje e lehtë. Njohuritë, shkollimi, shëndeti mendor, karakteristikat epidemiologjike na e kanë lejuar këtë gjë. Monitorohet si situatë. Nëse do duhet, numrat do të ndryshojnë, ne do të marrim vendimin në kohën e duhur”, tha më tej Fico.

ECURIA

Pavarësisht rritjes së shifrave të infektuarve, mundësia e rimbylljes duket e largët. Këtë la të kuptohet edhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik kur tha se “kjo është një situatë që vlerësohet në dinamikën e vetë. Sot që flasim, opsioni i mbylljes së Shqipërisë, do ishte versioni i fundit sipas skenarëve. Sa i përket ecurisë së indikatorëve që duhet të masin situatën, jemi akoma në momentin kur ndërhyrjet e bëra do të na lejonin që të vijojmë duke monitoruar situatën”.

TAMPONI

Lidhur me vonesën e përgjigjes së tamponit, Fico bëri me dije se në nxjerrjen e rezultatit kanë përparësi kategori të caktuara, siç janë pacientët e shtruar në spital apo edhe mësuesit. “Le t’i referohemi diçka je konkrete. Sot që flasim, ISHPja kthen përgjigje 24 orë deri në 72 orë. Edhe në daljet tona si specialistë, të gjithë kanë një lloj prioriteti. Personat e shtruar në spital, apo mësuesit dhe personeli mjekësor. Përgjigjja ndaj këtyre grupeve janë 24 deri në 48 orë. Për sa i përket rasteve asimptomatike, e rëndësishme është që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve. Nëse familjari juaj është simptomatik dhe vuan nga një sëmundje, është në një spital, a do të ishte e arsyeshme që të shkoni ju para atij?! Nëse një person ndihet pa qejf dhe mendon se ka simptoma të COVID-19, është përgjegjësi e tij që të izolohet menjëherë dhe s’duhet të dalë nga shtëpia. Sa i përket personave që dyshojnë se janë të infektuar me COVID-19, kanë shenja, detyra e tyre është që të qëndrojnë në shtëpi. Ne kemi shtuar numrin e testimeve të kryera. Le të kuptojmë se në këtë gamë të madhe të kryerjes së testimeve, mund të mbetet dikush pas. Kjo nuk është norma, por përjashtimi”

SITUATA

Prej 15 tetorit, shifrat e të infektuarve në vendin tonë kanë ardhur në rritje. Po ashtu edhe shtrimet në spital. “Ashtu siç kemi bërë me dije çdo ditë në raportimin ditor, situata mbetet e kontrolluar, por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore në 243 raste për 100 mijë banorë. Numri total i rasteve aktive ka pësuar rritje në 504 për 100 mijë banorë. Numri i pacienteve në spitale ka pësuar rritje krahasuar një jave më parë. Në tre spitalet COVID janë shtruar mbi 400 pacientë. Aktualisht rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në katër strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve, ndërkohë që skenarët e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid”, bëri me dije Fico dje. Pasi të ezaurohen kapacitetet e COVID 4, do të përfshihen pavijonet e dedikuara të Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës. Në skenarin B përfshihen spitalet e Lezhës, Beratit dhe Fierit dhe në skenarin C përfshihen spitalet e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.