Mbaroi rreziku? Pas një viti moral, qeveria rihap TikTok-un
Pas një viti “kujdes prindëror digjital” dhe moralizimi institucional, TikTok është rihapur zyrtarisht në Shqipëri, me një vendim të Këshillit të Ministrave të marrë këtë të mërkurë.
Pa ndonjë ceremoni, pa ndonjë reflektim publik dhe pa ndonjë shpjegim për ndryshimin e kursit, qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka vendosur të heqë ndalimin që vetë e kishte vendosur me shumë zell vetëm një vit më parë.
Me këtë vendim, është shfuqizuar Vendimi nr. 151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës online ‘TikTok’” — një titull i gjatë për një masë që rezultoi po aq e përkohshme sa edhe bindjet e kryeministrit.
TikTok ishte pezulluar më 6 mars të vitit të kaluar, në kulmin e fjalimeve moralizuese të Edi Ramës, i cili e portretizoi platformën si rrezik shoqëror, kërcënim për fëmijët dhe burim i degjenerimit kulturor. Sot, duket se rreziku ka kaluar… ose thjesht është harruar.
Ironia qëndron në faktin se asgjë nuk ka ndryshuar realisht: TikTok është i njëjti, algoritmet janë të njëjta, videot janë po ato. Ajo që ka ndryshuar është vetëm qëndrimi i qeverisë — dhe, si zakonisht, pa asnjë autokritikë, pa ndonjë pranim gabimi, e aq më pak pa ndonjë sqarim për publikun.
Kryeministri, i cili dikur fliste për “ndikime shkatërruese” dhe nevojën për masa drastike, sot duket se ka bërë paqe me platformën që miliona të rinj nuk e kishin braktisur kurrë. TikTok u mbyll me fjalime, por u rihap me heshtje.
Një tjetër episod ku vendimet merren me patos, anulohen pa zhurmë dhe justifikohen me formulime burokratike — ndërsa qytetarëve u mbetet vetëm të bëjnë “scroll” dhe të presin se cili do të jetë armiku i radhës digjitale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



