Mbi 200 mjete ishin të bllokuara, hapet rruga e Arbrit
Pavarësisht situatës në përmirësim, ende ka akse rrugore të bllokuara si pasojë e motit të keq të ditëve të fundit.

Rruga e Arbrit u zhbllokua vetëm dje, pasi rreth 200 automjete ishin bllokuar për orë të tëra për shkak të reshjeve të dendura të borës. Reshjet e dëborës në qarkun e Dibrës janë ndërprerë, por temperaturat e ulëta vështirësojnë lëvizjen në rrugë, për shkak të ngrirjes së borës. Në përditësimin e situatës nga Ministria e Mbrojtjes pasditen e djeshme, nënvizohet se po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, Qafë-ThorëThesh, Dushaj-Lekbibaj. Sakaq, nuk kanë munguar ndihmat për familjet në katër bashkitë e prekura nga tërmeti i 15 janarit, sipas MB.
SITUATA
“Në të gjithë territorin e vendit ka pasur përmirësim të dukshëm të situatës që u krijua gjatë këtyre ditëve nga moti i keq. Nuk ka banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë, por forcat e Emergjencave Civile, të ndihmuara edhe nga efektivë të FA, po qëndrojnë pranë banorëve në zonat, ku ka pasur kërkesë për ndihmë. Po punohet me borëpastruese nga firmat kontraktore dhe ARRSH për zhbllokimin e disa akseve në veri të vendit, në Bogë-Theth, Qafë Thore- Theth, Dushaj-Lekbibaj dhe kriposjen e disa akseve ku ka prani bore.
Në të gjitha akset rrugore kombëtare qarkullimi është i lirë. Janë dërguar ndihma nga Rezervat e Shtetit si: ushqime, batanije e çadra për familjet në 4 bashkitë e prekura nga tërmeti i 15 janarit në qarkun e Dibrës”. Këtë njoftim për shtyp ka bërë publik Ministria e Mbrojtjes ditën e djeshme, duke lënë të nënkuptuar se e keqja është hedhur pas krahëve tashmë dhe se po punohet në nyjet nevralgjike, aty ku gjithnjë shfaqen problematika në qarkullim me uljen e temperaturave dhe reshjet e borës.
Një panoramë më të detajuar të qarkullimit ka paraqitur Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH), i cili apelon shoferët për kujdes të shtuar në disa zona. “Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka rënë intensiteti i reshjeve duke sjellë një qetësim të situatës. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Në aksin Qafë Thore-Theth, në zonën e tuneleve, vazhdon rënia e ortekëve duke sjellë vështirësi për mjetet dhe punëtorët për pastrimin e rrugës dendësia e dëborës mbi 1 metër. Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet. Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, sqaron ARRSH.
PASOJAT E MOTIT
Më problematike situata paraqitet në qarkun Shkodër, ku prej reshjeve me intensitet të lartë të dëborës, të shoqëruara me rënie ortekësh aksi Qafë ThorëTheth është i pakalueshëm. Si pasojë e motit të keq, kanë mbetur 1220 hektarë tokë nën ujë në Njësinë Administrative Ana e Malit. Nga 56 shkolla, ku ishte pezulluar mësimi, ditën e nesërme procesi do fillojnë normalisht në 43 prej tyre, por për shkak të motit të keq, në 13 prej tyre mbetet i pezulluar. Ndërkohë ujësjellësi Oblika 1 është totalisht jashtë funksionit.
Gjithashtu, në disa rrugë është e pamundur të qarkullohet përveçse me automjete të larta, për shkak se ka prani të madhe të ujit. Ndërkohë rënia e ortekëve ka sjellë vështirësi për mjetet dhe punëtorët për pastrimin e rrugës. Në këtë zonë dendësia e dëborës arrin mbi 1 metra. Situata në qarkun e Lezhës e shkaktuar nga moti i keq, është përmirësuar ndjeshëm. Si pasojë e reshjeve të shiut, 530 hektarë tokë janë të përmbytura. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk kanë paraqitur problematika. Ndërkohë pavarësisht reshjeve të shiut dhe të dëborës, nuk janë shkaktuar problematika në qarkullimin e mjeteve. Ndërsa në Dibër, në rrugën e Arbrit është qetësuar situata dhe vijon qarkullimi i lirë i automjeteve.
Rikthehet mësimi në 43 shkolla, në 13 të tjera jo
Nga 56 shkolla në vend ku ishte pezulluar mësimi, këtë të hënë procesi do fillojnë normalisht në 43 prej tyre, ndërsa në 13 prej tyre mësimi vijon të mbetet i pezulluar. Shkollat ku nuk do të rifillojë procesi mësimor ndodhen në Pult, Shosh dhe Shalë të Shkodrës. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një postimi në rrjetet sociale. “Të dashur nxënës, prindër dhe mësues.
Strukturat tona arsimore, së bashku me bashkitë, kanë qenë në terren gjatë gjithë fundjavës për të marrë të gjitha masat e nevojshme për një fillim sa më të mbarë të procesit mësimor ditën e hënë. Fatmirësisht, pjesa më e madhe e shkollave ku u ndërpre mësimi javën e kaluar janë kthyer në normalitet, përveç 13 shkollave në disa njësi administrative të Shkodrës (Pult, Shosh dhe Shalë), ku për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e dëborës, procesi nuk mund të fillojë ditën e hënë”, shkruan ministrja, duke mos lënë një afat se kur mund të rinisë procesi mësimor për pjesën e mbetur të shkollave që nuk mundën të futen dot si gjithë të tjerët në klasa.
Është bërë e udhës tashmë prej vitesh që për shkak të një infrastrukture shkollore të duhur, nxënësit që banojnë në zona malore ku temperaturat nën zero dhe reshjet e dëborës janë të zakonta, të mos zhvillojnë mësim normalisht. Veç kësaj, edhe kur moti është favorizues, ata janë të detyruar të mësojnë në klasa kolektive (fëmijë të moshave të ndryshme në të njëjtën klasë) si pasojë e shpopullimit të zonave.
NUK FILLON MESIMI:
1. Shkolla e Mesme e Bashkuar “Mehmet Shpendi”, Shalë,
2. Shkolla 9-vjeçare “Gimaj”, Shalë,
3. Shkolla 9-vjeçare “Theth” Shalë,
4. Shkolla 9-vjeçare “Don Prek Ndrevashaj”, Shosh,
5. Shkolla 9-vjeçare “Palaj”, Shosh,
6. Shkolla Fillore “Nicaj”, Shosh,
7. Shkolla 9-vjeçare “Kir”, Pult,
8. Shkolla Fillore “Kasnec”, Pult,
9. Shkolla Fillore “Pog”, Pult,
10. Shkolla 9-vjeçare “Bruçaj”, Pult,
11. Shkolla 9-vjeçare “Plan”, Pult,
12. Shkolla Fillore “Maja Thanës”, Pult,
13. Shkolla 9-vjeçare “Xhan”, Pult
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



