“Mbylle gojën, dil jashtë”, plas keq sherri mes Ramës dhe Braçes
Mbledhja e përbashkët e qeverisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të premte, nuk është karakterizuar vetëm nga mesazhet publike të kryeministrit Edi Rama, por edhe nga tensione të forta në pjesën e zhvilluar me dyer të mbyllura.
Sipas informacioneve nga burime të pranishme në takim, pas përfundimit të fjalës publike të Ramës, diskutimet mes drejtuesve dhe deputetëve socialistë janë shoqëruar me një debat të ashpër mes kryeministrit dhe deputetit Erion Braçe.
Gjatë fjalës së tij publike, Rama e vuri theksin te sjellja e administratës ndaj qytetarëve, duke argumentuar se arroganca e disa nëpunësve ka ndikuar në krijimin e pakënaqësive që kanë çuar në protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Tiranë. Ai njëkohësisht la të kuptohej se nuk do të tërhiqet nga projektet e qeverisë, pavarësisht kundërshtimeve.
Pas largimit të kamerave, diskutimi mori një tjetër drejtim. Sipas burimeve, Erion Braçe kundërshtoi analizën e bërë nga kryeministri, duke ngritur shqetësimin se përgjegjësia për mënyrën e funksionimit të administratës nuk mund t’u atribuohet vetëm punonjësve të saj.
Deputeti socialist thuhet se ka kritikuar mënyrën se si janë emëruar në poste të rëndësishme shtetërore persona që, sipas tij, nuk kanë lidhje me strukturat e Partisë Socialiste dhe nuk gëzojnë mbështetje nga baza e saj. Sipas të njëjtave burime, Braçe ka argumentuar se emërime të tilla kanë krijuar pakënaqësi brenda partisë dhe kanë ndikuar në raportin me qytetarët.
Diskutimi mes dy drejtuesve socialistë më pas është përshkallëzuar, duke krijuar një atmosferë të tensionuar në sallë. Burimet bëjnë me dije se debati u zhvillua me tone të larta, ndërsa kryeministri i kërkoi deputetit të ndërpriste diskutimin.
Braçe, gjithmonë sipas të njëjtave burime, ka vijuar të mbrojë qëndrimin e tij, duke insistuar se vendimmarrja për emërimet duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe në konsultim me strukturat politike.
Për shkak të tensionit të krijuar, mbledhja u ndërpre për pak minuta pas ndërhyrjes së drejtuesit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili kërkoi një pushim për të qetësuar situatën.
Pas rifillimit të takimit, kryeministri Rama ka qëndruar edhe për disa minuta në sallë dhe më pas është larguar, ndërsa mbledhja ka përfunduar pa zhvillimin e drekës së parashikuar mes anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve socialistë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



