E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me 164 mijë euro false, armë e makinë të vjedhur, arrestohet 19-vjeçari
Flash

Me 164 mijë euro false, armë e makinë të vjedhur, arrestohet 19-vjeçari

Policia e Shkodrës ka përmbyllur një tjetër operacion të fokusuar në goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me vjedhjet dhe armëmbajtjen pa leje. Aksioni, i zhvilluar në kuadër të hetimeve të nisura prej kohësh, është koduar “Livadhet 3”.

Në përfundim të operacionit u vu në pranga një 19-vjeçar nga Shkodra, i identifikuar si Ornaldo Çerenishta. Arrestimi i tij u realizua pas kontrolleve të zhvilluara me autorizim të Gjykatës së Shkodrës, në vijim të dyshimeve të ngritura nga strukturat hetimore.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të riut, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një sërë materialesh që dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale. Mes tyre janë 164 300 euro që dyshohen të falsifikuara, municion luftarak, tetë telefona celularë dhe një sasi lënde djegëse. Po ashtu, u bllokua një automjet që dyshohet të jetë vjedhur në Fushë-Krujë në vitin 2019, si dhe dy targa automjeti që, sipas hetimeve paraprake, rezultojnë të vjedhura në Tiranë gjatë vitit 2025.

Operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë kompetente dhe në bashkëpunim me seksionet e krimit ekonomik-financiar dhe Komisariatin e Policisë Shkodër. Në terren u angazhuan gjithashtu efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Paralelisht me këtë aksion, kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e disa personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në veprat penale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje. Këto veprime hetimore lidhen me vijimësinë e operacioneve të mëparshme të koduara “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”, të cilat synojnë çmontimin e një rrjeti të dyshuar kriminal në zonë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga strukturat e DVP Shkodër, operacioni i koduar “Livadhet 3”.

Vihet në pranga një 19-vjeçar.

Sekuestrohen nga banesa e tij, 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, ne bashkepunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës Shkodrër, finalizuan operacionin e koduar “Livadhet 3”.

Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi: O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara “Lvadhet 1” dhe “ Livadhet 2 “, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.

Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.