Me 9 vota pro, miratohet projektligji për amnistinë penale
Projektligji për amnistinë penale ka marrë miratimin në parim këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve, duke u votuar me 9 vota pro. Në mbledhje mori pjesë vetëm një përfaqësues i opozitës, deputeti Arjan Ndoja, i cili mbështeti nismën, ndërsa pjesa tjetër e opozitës mungoi.
Hapi i radhës për këtë projektligj është shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare, i cili pritet të zhvillohet më 18 qershor, ku do të vendoset përfundimisht mbi hyrjen në fuqi të tij.
Gjatë prezantimit të draftit, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se amnistia do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin penitenciar. Sipas tij, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa afërsisht 900 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.
Ministri sqaroi gjithashtu kategoritë që përjashtohen nga kjo nismë, duke theksuar se nuk do të përfitojnë individët e dënuar për korrupsion, krim të organizuar apo çështje që lidhen me strukturat e posaçme antikorrupsion.
Sa i përket përfituesve, drafti parashikon që burrat e dënuar deri në 3 vite burgim, ose ata që kanë më pak se 3 vite të mbetura për të vuajtur, do të lirohen menjëherë. Po ashtu, përfitim të menjëhershëm do të kenë edhe gratë e dënuara deri në 4 vite ose ato që kanë më pak se 4 vite të mbetura nga dënimi.
Një tjetër kategori përfituese janë personat në moshë të thyer: burrat mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç do të lirohen menjëherë, në kuadër të kësaj amnistie.
Ky projektligj konsiderohet një ndër nismat më të rëndësishme në fushën e drejtësisë për këtë vit, me ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e numrit të të dënuarve dhe lehtësimin e sistemit të burgjeve në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



