Me armë zjarri në makinë dhe banesë, arrestohet 30-vjeçari
Një operacion i mirëorganizuar nga Policia e Maliqit ka çuar në arrestimin e një 30-vjeçari, i cili dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe mbante në banesë armë pa leje.
Aksioni policor, i koduar “Sovjani”, u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, që sinjalizonin lëvizjen e një personi të armatosur në zonë. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e policisë ndërhynë në fshatin Sovjan, ku identifikuan dhe ndaluan një automjet që lëvizte në një rrugë mes tokave bujqësore.
Gjatë kontrollit të mjetit, efektivët zbuluan një armë zjarri tip automatik. Hetimet vijuan më tej me kontrollin e banesës së të dyshuarit, ku u gjet edhe një armë gjahu teke, si dhe një sasi municioni.
Të gjitha sendet e konstatuara u sekuestruan si prova materiale, bashkë me automjetin e përdorur.
Në përfundim të veprimeve, në pranga u vu shtetasi B. B., 30 vjeç, banues në Sovjan, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, si dhe për posedim të paligjshëm të armëve të gjuetisë.
Dosja i është referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë me hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



