E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Më jep fjalën ose po largohem’, Gjiknuri përplaset me Manjën te ‘Ligjet’
Lajme

‘Më jep fjalën ose po largohem’, Gjiknuri përplaset me Manjën te ‘Ligjet’

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës, ku në fokus ishte shqyrtimi i projektligjit për mbrojtjen e tokave bujqësore.

Diskutimet u përqendruan kryesisht te ndikimi që mund të kenë impiantet eolike në sipërfaqet bujqësore. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kundërshtoi parashikimet e projektligjit, duke argumentuar se ndërtimi i këtyre strukturave kërkon ndërhyrje të thella në tokë dhe baza të konsiderueshme betoni, çka sipas tij do të sillte dëmtim të tokave bujqësore.

Ky qëndrim u mbështet edhe nga deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili së bashku me dy deputetë të opozitës votoi kundër nenit të parë të projektligjit. Më pas, ai kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e institucionit përgjegjës, të cilët deklaruan se impiantet do të vendosen drejtpërdrejt në tokë, pa përdorur platforma betoni.

Megjithatë, Gjiknuri shprehu skepticizëm ndaj këtij sqarimi, duke deklaruar:

“Që të vësh një kullë për ‘Wind farm’, është 100 metra e lartë dhe nuk ka shans të vendoset pa strukturë betoni. Bëhet fjalë për kulla shumë të larta. Nuk jam i bindur me shpjegimet tuaja”.

Debati vijoi edhe gjatë fazës së votimit në tërësi të projektligjit. Deputeti Gent Strazimiri kërkoi të parashtrojë pyetje të tjera mbi paqartësitë që, sipas tij, mbeten në tekstin e ligjit, por kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, deklaroi se diskutimet kishin përfunduar.

Pavarësisht kësaj, Strazimiri këmbënguli për të marrë përgjigje, ndërsa në vijim u zhvillua një përplasje verbale mes tij dhe Manjës:

Strazimiri: Kam pyetje.

Manja: U ezauruan.

Strazimiri: Po unë s’kam mbaruar gjimnazin bujqësor. Kam pyetje për ty.

Manja: Po.

Strazimiri: Fakti që në projektligj kanë sjellë edhe shënimin “eolik”, ka një problem këtu. Është një instrument që jepet në dorë edhe të njerëzve të papërgjegjshëm në të ardhmen. Urgjenca që keni për këtë ligj do të thotë se po bëni dëm. Nuk po na lini të sqarohemi.

Manja: Në rregull, e gjetët lepurin në ferrë ju të tre (Bylykbashi, Strazimiri dhe Gjiknuri).

Në këtë moment, fjalën e kërkoi edhe deputeti Damian Gjiknuri, por kryetari i Komisionit nuk ia dha, duke i kërkuar të largohej nga salla.

Gjiknuri: Një sekondë, sepse nuk u sqaruam, më jep fjalën.

Pavarësisht insistimit të tij, Manja vijoi me procedurën dhe e hodhi projektligjin në votim, duke e konsideruar votën e Gjiknurit si abstenim.

Gjiknuri: Do më jepni fjalën apo të largohem fare.

Ulsi: Mund të ikësh, rri te abstenimi ti. Merru me Oerdin.

Gjiknuri: Në rregull, po largohem.

Pas këtij episodi, deputeti socialist u largua nga mbledhja, ndërsa projektligji vijoi procedurën parlamentare mes tensioneve dhe debateve të forta politike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.