E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me një të rënë të lapsit, Gjirokastra ZHDUK 100 vite histori
Lajme

Me një të rënë të lapsit, Gjirokastra ZHDUK 100 vite histori

Klubi i Futbollit Luftëtari i Gjirokastrës nuk ekziston më as zyrtarisht në dokumente. Pas vitesh pa aktivitet dhe pasojave të rënda që solli dënimi nga FIFA, një histori afro një shekullore është mbyllur përfundimisht në letër, duke i dhënë fund një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar.

Megjithatë, ajo që nuk shuhet janë kujtimet dhe emocionet e tifozëve bluzinj, që për dekada me radhë e kthyen Luftëtarin në simbol të qytetit të gurtë.

E themeluar në vitin 1926 me emrin “Shqiponja”, skuadra gjirokastrite mori formën e një klubi të konsoliduar në fund të viteve ’20, për t’u shndërruar ndër vite në një vatër talentesh. Nga radhët e saj kanë dalë emra të njohur të futbollit shqiptar, si Theodhori Kalluci, Sefedin Braho, Lefter Millo, Arjan Xhumba, Arjan Bellaj, Altin Haxhi, Astrit Boni, Gjergji Kalluci e shumë të tjerë.

Fundi zyrtar erdhi në mbledhjen e fundit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, e mbajtur më 26 janar 2026. Me unanimitet të plotë – 9 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim – u miratua përjashtimi i KF Luftëtarit nga anëtarësia e shoqatës.

Në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të SHRF Gjirokastër theksohet se përjashtimi vjen si pasojë e mbylljes së aktivitetit të klubit. Prej vitit 2021, pas dënimit nga FIFA për borxhe të prapambetura ndaj ish-zyrtarëve, Luftëtari nuk mori më pjesë në asnjë aktivitet zyrtar.

Në këtë kontekst, Bashkia e Gjirokastrës, si pronare e klubit, vendosi shpërbërjen formale të KF Luftëtarit dhe krijimin e një subjekti të ri sportiv, Akademia e Futbollit Luftëtari (AF Luftëtari). Ky klub përfaqëson aktualisht qytetin në Kategorinë e Parë të futbollit shqiptar, duke mbajtur emrin, por jo vazhdimësinë ligjore të skuadrës historike.

Një kapitull është mbyllur, por historia e Luftëtarit mbetet e gdhendur në kujtesën e futbollit shqiptar dhe të brezave që u rritën me fanellën blu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.