E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me qindra qytetarë bëjnë homazhe në kujtim të Xhuana Nikollajt
Lajme

Me qindra qytetarë bëjnë homazhe në kujtim të Xhuana Nikollajt

Qindra qytetarë u mblodhën në qendër të qytetit të Lezhës për të nderuar kujtimin e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila humbi jetën në rrethana tragjike që kanë tronditur opinionin publik. Të pranishmit vendosën qirinj dhe buqeta me lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë nga Shëngjini dhe solidaritet me familjen e saj.

Atmosfera e homazheve ishte e mbushur me emocione, ndërsa shumë qytetarë e kthyen këtë moment përkujtimi edhe në një thirrje të fortë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për më shumë ndërgjegjësim shoqëror dhe reagim institucional për të parandaluar raste të tilla tragjike.

Ngjarja ka marrë një jehonë edhe më të madhe për faktin se ndodhi vetëm pak ditë pas 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke rikthyer në vëmendje debatin për sigurinë dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje apo në marrëdhënie intime.

Ndërkohë, ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, është shpallur në kërkim nga Policia. Ai dyshohet për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”. Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, i dyshuari ishte kthyer nga jashtë vendit më 9 mars dhe dyshohet se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes në Tiranë. Dyshohet se mes tyre ka pasur një konflikt, ndërsa në orët e para të mëngjesit të 10 marsit, 25-vjeçarja ndërmori aktin fatal.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në trupin e të resë janë konstatuar shenja dhune në pjesë të ndryshme, përfshirë kokën, fytyrën dhe njërin krah. Në banesë është gjetur gjithashtu një letër që ajo kishte lënë për prindërit e saj, e cila po analizohet nga hetuesit.

Xhuana Nikollaj dhe Eraldo Fizi kishin kurorëzuar lidhjen e tyre në martesë në qershor të vitit 2025 në Lezhë. Megjithatë, martesa zgjati vetëm rreth tre muaj dhe më pas çifti u nda. Pas ndarjes, e reja ishte zhvendosur në Tiranë, ku jetonte me motrat e saj.

Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.