E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mediat italiane: Rama takson 15% pensionistët italianë në Shqipëri
Lajme

Mediat italiane: Rama takson 15% pensionistët italianë në Shqipëri

Mes mijëra pensionistëve italianë që kanë zgjedhur Shqipërinë si vendbanim për vitet e tyre të pensionit, ka nisur të përhapet një klimë pasigurie, ankthi dhe frike. Arsyeja lidhet me mundësinë që, pas vitesh përjashtimi total nga taksat, pensionet e tyre të mund të preken nga një regjim i ri fiskal.

Bëhet fjalë për rreth 3 mijë shtetas italianë, të cilët janë zhvendosur në Shqipëri pikërisht për faktin se pensionet e tyre, deri më tani, nuk janë tatimuar. Për vite me radhë, realiteti ka qenë i thjeshtë: zero taksa.

Së fundmi, megjithatë, kjo siguri ka nisur të lëkundet. Prej disa javësh, pensionistët italianë flasin hapur për rrezikun e asaj që e quajnë një “goditje fiskale”. Më 23 janar, kjo çështje u bë publike edhe nga portali AlbanItaly, i drejtuar nga ish-gazetari i RAI-t, Giuseppe Mazzei.

Shqetësimi ka arritur deri aty sa një grup i konsiderueshëm pensionistësh italianë, me rezidencë të rregullt në Shqipëri, i është drejtuar me letër të hapur kryeministrit Edi Rama. Në këtë letër, ata shprehin frikën se mbi pensionet e tyre mund të vendoset një barrë e re tatimore, duke përmendur edhe marrëdhëniet e mira mes Ramës dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, si shpresë për ndërhyrje.

Sipas tyre, ekziston rreziku që pensionistët të detyrohen të trajtohen fiskalisht si subjekte të zakonshme, duke paguar taksën bazë 15% mbi të ardhurat, si dhe duke u detyruar të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë tatimeve shqiptare, të njohur ndryshe si “DIVA” – term që përdoret me ironi mes tyre.

Ndryshimi ligjor që ndezi alarmin

Burimi kryesor i frikës lidhet me një ndryshim në legjislacionin fiskal. Ligji i vitit 2019 parashikonte qartë përjashtimin nga taksat për shtetasit e Bashkimit Evropian që dispononin leje qëndrimi në Shqipëri. Kushti ishte që ata të qëndronin të paktën 183 ditë në vit në territorin shqiptar dhe të kishin transferuar këtu aktivitetet e tyre, edhe kur këto nuk kishin karakter fitimprurës.

Ky përjashtim u shfuqizua me hyrjen në fuqi të ligjit të ri fiskal në janar 2024. Sipas dispozitave aktuale, nga taksat përjashtohen vetëm të ardhurat që mbrohen nga marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërsa ligji i mëparshëm garantonte një mbrojtje të fortë për pensionistët italianë, kuadri i ri ligjor konsiderohet më i paqartë dhe më i dobët. Edhe pse gjatë gjithë vitit 2025 administrata tatimore shqiptare nuk ka kërkuar asnjë pagesë nga pensionistët italianë, mungesa e një sqarimi zyrtar ka ushqyer pasigurinë.

Në javët e fundit, shumë prej tyre janë drejtuar pranë CAF-eve, konsulentëve fiskalë dhe vetë Drejtorisë së Tatimeve, por – sipas tyre – përgjigjet kanë qenë të paqarta, të fragmentuara dhe shpesh kontradiktore.

Pesha ekonomike e pensionistëve italianë

Falë përjashtimit nga taksat, rreth 3 mijë pensionistë italianë përfitojnë një pension mesatar prej 3,500 eurosh në muaj. Ndërsa disa përfitojnë shuma më të larta, janë pikërisht ata me pensione më të ulëta që shprehin frikën më të madhe nga një taksë e mundshme 15%.

Sondazhe joformale brenda komunitetit italian tregojnë se, në rast të vendosjes së një takse të tillë, një pjesë e konsiderueshme e tyre do të shqyrtonte largimin nga Shqipëria dhe zhvendosjen drejt vendeve të tjera me politika fiskale më të favorshme, si Hungaria, Sllovakia apo Kroacia.

Një skenar i tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe për ekonominë shqiptare. Aktualisht, pensionet italiane që hyjnë çdo vit në Shqipëri kapin vlerën e mbi 136 milionë eurove, duke përfshirë edhe pagesën e këstit të 13-të. Këto fonde shpenzohen kryesisht për banesa, qira, ushqime, restorante, shërbime, automjete dhe mallra të konsumit, duke përbërë një burim të qëndrueshëm të ardhurash për ekonominë vendase.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.