Mediat: Izraeli i kundërpërgjigjet Iranit, sulmon me dronë

Një raketë izraelite ka goditur Iranin, raporton BBC, duke iu referuar burimeve nga dy zyrtarë amerikanë.

Mediat shtetërore iraniane raportojnë për shpërthime në provincën qendrore të Isfahanit në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.

Gjithashtu bëhet me dije se deri më tani janë shkatërruar 3 drone në këtë zonë nga sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit.

Në Isfahan ndodhet një bazë ajrore iraniane dhe provinca ka disa objekte ushtarake. Deri më tani nuk raportohet që ndonjë dron të ketë goditur tokën, ndërsa mediat iraniane thonë se të gjitha objektet bërthamore janë të sigurta.

Ushtria izraelite dhe Pentagoni nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këto sulme. Fluturimet janë pezulluar në disa qytete.

Irani ka qenë në gatishmëri të lartë pasi Izraeli paralajmëroi se do t’i përgjigjej raketave dhe dronëve iranianë të lëshuar në Izrael të shtunën mbrëma.

Më shumë se 300 dronë dhe raketa u gjuajtën kundër Izraelit nga Irani, ndërsa tashmë duket se ka ardhur edhe një kundërpërgjigje.

Megjithatë, një zyrtar Izraelit ka mohuar që sulmi të jetë nga ata.

Zëdhënësi i Qendrës Kombëtare të Hapësirës Kibernetike të vendit tha se nuk ka pasur një sulm, por Izraeli ka tentuar të rrëzojë disa dronë të dyshimtë.

“Nuk ka pasur asnjë sulm ajror nga kufijtë e jashtëm në Isfahan apo pjesë të tjera të vendit”, u shpreh ai.

Ushtria izraelite tha se “nuk ka një koment në këtë moment” kur u pyet nga CNN.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara konfirmuan sulmin dhe bënë të ditur se nuk e kishin autorizuar Tel Avivin për ta kryer atë.

Publikuar nga Publik Media