Meloni e prerë: Italia nuk ka ndërmend të përfshihet në luftë!
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se vendi i saj nuk është pjesë e luftës në Lindjen e Mesme dhe nuk ka ndërmend të përfshihet në konflikt. Ajo theksoi se qeveria italiane po përqendrohet në përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës në rajon.
Në një videomesazh për mediat, Meloni nënvizoi se prioriteti kryesor i Romës është ruajtja e stabilitetit dhe mbrojtja e qytetarëve italianë që ndodhen në zonat e prekura nga kriza.
“Italia nuk është në luftë dhe nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e luftës,” u shpreh ajo, duke shtuar se qeveria po punon për të krijuar hapësirë për rikthimin e dialogut diplomatik mes palëve të përfshira në konflikt.
Sipas saj, autoritetet italiane po përpiqen të ulin sa më shumë tensionet dhe njëkohësisht po mbajnë kontakte të vazhdueshme me vendet e rajonit për të mbështetur përpjekjet për stabilitet. Në të njëjtën kohë, Italia po ofron ndihmën e nevojshme për bashkatdhetarët e saj që ndodhen në zonën më të gjerë të Lindjes së Mesme.
Meloni iu referua edhe një bisede telefonike që zhvilloi së fundmi me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz. Sipas saj, Italia mori iniciativën për një koordinim më të ngushtë mes katër vendeve kryesore evropiane për të përballuar situatën aktuale.
Ajo theksoi se gjatë bisedimeve u diskutua për forcimin e bashkëpunimit diplomatik mes Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me synimin për të menaxhuar krizën dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Sipas Melonit, liderët evropianë janë dakord për nevojën e një qasjeje të përbashkët, duke theksuar se dialogu me vendet e Lindjes së Mesme do të vijojë në përpjekje për të ruajtur stabilitetin në rajon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



