Meta nga Saranda: PS ka zgjedhur rrugën e frikësimit dhe bullizimit të qytetarëve për të fituar zgjedhjet, veprojnë si organizatë…
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se PS ka zgjedhur rrugën e frikësimit dhe bullizimit të qytetarëve për të fituar zgjedhjet e 14 majit.
Komentet Meta i bëri gjatë një takimi në Sarandë, ku u prezantuan kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Sarandës, Ardit Cikuli dhe për Bashkinë e Konispolit, Fatmir Shero.
Meta tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama vepron si organizatë kriminale dhe sipas tij, qëndrimi i saj për çështjen e Butrintit, ka qenë një sjellje grabitqare.
“Pasuritë natyrore nuk do të shihen si plaçkë për t’u grabitur e tregtuar, por përkundrazi. Është e tmerrshme që Saranda të jetë e rrethuar nga Uji dhe ende të mos e ketë të zgjidhur problemin e ujit. Fonde dhe tendera që janë bërë, janë grabitur. Është një sjellje antikombëtare dhe grabitqare qëndrimi i Rilindjes me çështjen e Butrintit. Këtë çështje duhet ta ndjekim deri në fund, sepse nëse nuk e ruajmë, cënojmë jo vetëm dinjitetin tonë, por edhe turizmin.
Urbanistika këtu është e shkatërruar. Askush nuk ka menduar për parkingjet, për transportin. Rilindja këtu është sjellë si organizatë kriminale. Vetëm jep leje për pallate mbi pallatet. Vizioni i Cikulit është një vizion realist. I një profesionisti të nivelit më të lartë.
Kandidatët i keni zgjedhur vetë ju përmes një procesi demokratik si ai i primareve. Ju e dini shumë mirë si janë katapultuar kandidatët e krahut tjetër. Klani më i fortë ka bërë pagesën më të mirë dhe… Nuk dalin në debat ata.
Të falimentosh Bashkinë e Kavajës që është një nga më të pasurat e Shqipërisë, të falimentosh atë të Vorës që ka bizneset më të mëdha të vendit dhe të ndërrosh 5 kandidatë atje… Këta nuk duan të fitojnë përmes programeve, por kanë zgjedhur rrugën e frikësimit dhe bullizimit të qytetarëve”, u shpreh Meta.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



