Meta pas takimit me Varhelyi: E informova se ndryshimet në Kod do i rikthej për rishqyrtim në Kuvend!
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka reaguar pas takimit me Komisionerin për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.
Përmes një shënimi në rrjete sociale, Meta thotë se përtej falenderimeve, e ka informuar Komisionerin se do të rikthejë për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Sipas Metës, kjo është një mundësi e dytë që i jepet qeverisë “të tërhiqet nga minimi i procesit zgjedhor, me pasoja të rënda e afatgjata ndaj integrimit europian të Shqipërisë”.
Reagimi i plotë i Metës
Kënaqësi të takohesha me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Oliver Varhelyi.
E falenderova për të gjitha përpjekjet e tij dhe të institucioneve europiane për të mbështetur integrimin europian të Shqipërisë.
Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, përcaktuar si kusht themelor për nisjen e negociatave të anëtarësimit, e informova Komisionerin se do të rikthej për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor.
Duke mirëkuptuar kërkesën dashamirëse të Grupit të PPE në Parlamentin Europian për t’i dhënë edhe një mundësi Kuvendit një-partiak të tërhiqet nga minimi i procesit zgjedhor, me pasoja të rënda e afatgjata ndaj integrimit europian të Shqipërisë, uroj që pushteti të kthehet tek Marrëveshja konsensuale e 5 Qershorit.
E garantova Komisionerin Varhelyi se çdo zgjidhje do të vijë nga populli shqiptar.
25 Prilli do të jetë një referendum popullor që do t’u japë përgjigjen e merituar të gjithëve atyre që tentojnë të luajnë me të ardhmen europiane të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





