E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministri francez thirrje BE  për vaksinat ruse dhe kineze: Rrezik për shëndetin publik dhe…
Lajme

Ministri francez thirrje BE për vaksinat ruse dhe kineze: Rrezik për shëndetin publik dhe…

Ministri i Çështjeve Evropiane Clement Beaune paralajmëroi të premten se vaksinat ruse dhe kineze përbëjnë rrezik për unitetin e bllokut dhe për shëndetin publik.

Pas një fillimi të vështirë të fushatës së vaksinimit, që e la Bashkimin Evropian prapa disa vendeve të tjera si Britania, disa shtete anëtare në Evropën Qendrore kanë blerë ose po shikojnë mundësinë për të blerë vaksina ruse ose kineze.

I pyetur nëse secili vend anëtar po bënte thjesht “atë që dëshironte”, Ministri Beaune tha për radion RTL: “Nëse zgjedhin vaksinën kineze ose ruse, kjo mendoj se do të ishte mjaft serioze”.

Ai tha se kjo “do të përbënte problem në kuptimin e solidaritetit tonë dhe do të paraqiste një rrezik për shëndetin, sepse vaksina ruse nuk është ende e autorizuar në Evropë”.

BE-ja deri tani e ka bërë prokurimin e vaksinave në mënyrë të centralizuar, përmes organit të saj ekzekutiv, Komisionit Evropian.

Megjithatë vaksina ruse Sputnik V është miratuar ose po vlerësohet për miratim në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Hungaria tashmë ka filluar imunizimin e njerëzve me vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse, ndërsa Polonia po diskuton për blerjen e vaksinës kineze.

Rregullatori evropian i barnave EMA, tha të enjten se kishte filluar një vlerësim të vaksinës Sputnik V. Por edhe nëse miratohet, Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim që ta përfshijë atë në listën e tij.

Evropa deri tani ka miratuar vaksinat Pfizer / BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca / Oxford, ndërkohë që vazhdon punën për vlerësimin e vaksinave kandidate CureVac dhe Novavax.

EMA pritet të shpallë vendimin e saj mbi vaksinën me një dozë të vetme me Johnson & Johnson më 11 mars.

Hungaria ishte vendi i parë i BE-së që miratoi për përdorim emergjent vaksinën ruse në janar; Sllovakia ka porositur kontingjente të vaksinës, ndërsa Kryeministri Çek, Andrej Babis, ka thënë se vendi i tij mund të marrë masa për të përdorur vaksinën Sputnik V.

Rajoni italian i Lazios tha se do të kërkonte 1 milion doza të vaksinës ruse, nëse miratohet nga EMA, ndërsa qeveria e enklavës së vogël të pavarur të San Marinos tha se kishte filluar përdorimin e vaksinës ruse këtë javë, shkruan Voa.

Presidenti polak Andrzej Duda gjithashtu ka biseduar me udhëheqësin kinez Xi Jinping për blerjen e vaksinës kineze.

Disa në Rusi e kanë quajtur vaksinën Sputnik V si një “urë” të mundshme midis Rusisë dhe Evropës.

Komisioni Evropian thotë se nuk janë bërë bisedime në lidhje me blerjen e vaksinës Sputnik V.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.