Ministrja Koçiu nuk ka një zgjidhje për Urgjencën e QSUT që është jashtë funksionit

Që nga  11 shkurti  Urgjenca e Tiranës është jashtë funksionit por ministrja Albana Koçiu nuk dha asnjë zgjidhje në Komisionin e Shëndetësisë.

Ajo mburri punën e bluzave të bardha dhe tha se Urgjenca Kordiologjike dhe ajo e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT nuk mund të japin asnjë shërbim, por qytetarët mund të drejtohen në spitalin e Shkodrës, Fierit, apo te Sanatoriumi.

Sipas saj, këto spitale kanë kapacitet t’i përballojnë flukset.

“Incidenti për të cilin ne jemi thirrur sot dhe po diskutojmë tregoi se standardet, profesionalizmi dhe cilësia e shërbimit mjekësor është e tillë anembanë vendit. Spitalet Rajonale të Shkodrës, Spitali Memorial i Fierit si dhe Qendra Spitalore e Shefqet Ndroqit janë në gjendje të ofrojnë sot të gjithë shërbimin dhe të përballojnë fluksin e shërbimeve, për shkak se Urgjenca Kordiologjike dhe ajo e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT nuk mund të japin këtë shërbim. Ka arsye për t’u ndier mirë dhe për t’u ndier krenarë si dhe për stafin e mrekullueshëm mjekësor. Është një ngjarje që është nën hetim nga prokuroria e Tiranës. Por nga të dhënat paraprake mund të konfirmoj se bëhet fjalë për një defekt teknik të ndodhur në një nga dhomat teknike, ku ka pasur një djegie të kabujve elektrikë, pa dëmtuar pajisjet mjekësore të spitalit. Në QSUT vazhdon puna, janë zhvendosur vetëm dy shërbime, ajo e Urgjencës Kardiologjike, dhe e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme”, u shpreh ministrja.

Publikuar nga Publik Media