“Ringjallet” Kumbaro dhe u numëron bursat studentëve të zemëruar!
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas dy ditësh protestash dhe përplasjesh të dhunshme në Tiranë, duke dënuar dëmtimin e godinës së ministrisë dhe institucioneve të tjera. Megjithatë, në deklaratën e saj të gjatë mungon një përgjigje konkrete ndaj pakënaqësive dhe kërkesave që kanë nxjerrë studentët në rrugë.
Kumbaro shprehet e shqetësuar për situatën e krijuar, duke theksuar se përplasjet fizike dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të zëvendësojnë dialogun. Ajo kujton se edhe vetë ka protestuar gjatë jetës universitare dhe se respekton të drejtën e studentëve për të kërkuar më shumë nga institucionet.
Por, ndërsa dënon dhunën, ministrja nuk ndalet te kërkesat konkrete të protestuesve dhe as te masat që institucioni që ajo drejton mund të ndërmarrë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre.
Shifrat e mbështetjes financiare
Në vend të një qëndrimi të qartë për arsyet e protestës, Kumbaro rendit shifrat e mbështetjes financiare për studentët. Sipas saj, mbi 12 mijë studentë nga familje në vështirësi përfitojnë ndihmë financiare çdo vit, më shumë se 40 mijë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit, ndërsa qindra studentë ekselentë dhe të programeve prioritare marrin bursa e mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 eurosh.
Dëmet në godinën e ministrisë
Ministrja u ndal veçanërisht te dëmet në godinën e Ministrisë së Arsimit, duke bërë të ditur se kati i parë është djegur dhe se janë dëmtuar materiale e dokumente. Sipas saj, kjo pjesë e ndërtesës nuk mund të përdoret deri në përfundimin e riparimeve.
“Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve të fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog”, deklaroi Kumbaro.
Dallimi mes protestës dhe dhunës
Ajo këmbënguli se protesta qytetare dhe studentore duhet të ndahet qartë nga dhuna ndaj institucioneve dhe pronës publike apo private, duke u bërë thirrje të rinjve të mos lejojnë që të shtyhen drejt akteve të dhunshme.
“Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre”, shkroi ministrja, duke shtuar se problemet duhet të zgjidhen përmes komunikimit, argumenteve dhe përgjegjësisë.
Pyetjet pa përgjigje
Megjithatë, reagimi i Kumbaros vjen në një moment kur protestat kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pas muajsh marshimesh dhe pakënaqësish të shprehura nga të rinjtë. Ndërsa ministrja dënon dëmtimin e godinës dhe kërkon dialog, mbetet pa përgjigje se si do t’u përgjigjet qeveria kërkesave që kanë ushqyer zemërimin e studentëve.
Reagimi i ministres:
Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera.
Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.
Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kerkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe
-dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;
-dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publike, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njera tjetrën!
Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.
Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve te fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.
Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje.
Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.
Përtej investimeve që janë kryer e do të vijojnë në çdo universitet të vendit,
-Janë çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi që përfitojnë mbështetje financiare për studimet e tyre;
-Mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit;
-Qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare për të cilat vendi ka nevojë përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 euro!
Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrësesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private.
Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre.
Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat.
Pavarësisht se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është djegur, duke dëmtuar jo vetëm bazën materiale por edhe dokumente, duke mos qenë i përdorshëm deri sa të riparohet, stafi i Ministrisë së Arsimit është në krye të detyrës dhe Ministria e Arsimit do t’i ketë dyert e hapura si gjithmonë, sepse institucionet krijohen nga njerëzit dhe njerëzit dinë të flasin e të komunikojnë dhe kush më shumë se studentët dhe arsimtarët mund ta bëjnë këtë.
Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi.
Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t’ju shtyjë drejt akteve të dhunës.
Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



