E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Misteri i verës që “avulloi nën hundën e shtetit” nga vila e Gys Agasit
Lajme

Misteri i verës që “avulloi nën hundën e shtetit” nga vila e Gys Agasit

Skemë apo paaftësi?

Nga prokuroria te Doganat, si dështuan instancat shtetërore

A kanë përgjegjësi instancat shtetërore për zhdukjen e verës kontrabandë të zbuluar në vilën e Ergys Agasit?

Përgjigjja është e qartë, e prerë dhe pa nevojë për manovra juridike: po, kanë përgjegjësi direkte.

Zinxhiri i përgjegjësisë nis që në momentin e parë, tek prokurori i çështjes, Bledar Vatnikaj. Pas inventarizimit të kryer nga Doganat, detyrimi ligjor ishte i panegociueshëm: firmosja e urdhrit të sekuestrimit dhe garantimi i ruajtjes së provës materiale. Kjo nuk ndodhi. Në vend të veprimit institucional, shteti zgjodhi variantin më të rrezikshëm të mosveprimit: u shpall në kërkim kushëriri i Ergys Agasit dhe u la pas dore një pasuri me vlerë miliona euro, e vendosur në pronën e një personi me rrezikshmëri të lartë, pa masa sigurie reale, pa mbikëqyrje efektive dhe me kamerat aktive që regjistrojnë gjithçka… përveç përgjegjësisë.

Kjo nuk është më thjesht pakujdesi. Ky është mosveprim me pasoja penale. Është momenti kur shteti nuk dështon rastësisht, por zgjedh të tërhiqet, duke i hapur rrugë zhdukjes së provës. Dhe kur shteti zgjedh të mos jetë prezent, dikush tjetër e zë vendin e tij.

Përgjegjësia e dytë bie mbi Doganat. Ligji i ngarkon ato me ruajtjen e çdo malli të sekuestruar, me çdo mjet të nevojshëm, përfshirë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Nëse vera u zhduk, atëherë ajo u la të zhdukej. Këtu nuk ka vend për justifikime teknike apo proceduriale. Drejtori Gent Gazheli duhet të dalë publikisht dhe të sqarojë hap pas hapi, minutë pas minute, se çfarë ndodhi natën kur një koleksion verërash me vlerë miliona euro “avulloi”. Në të kundërt, dorëheqja dhe përballja me drejtësinë janë minimumi i përgjegjësisë morale dhe ligjore.

Sepse kjo histori nuk ka asgjë misterioze. Nuk kemi të bëjmë me një grabitje të sofistikuar apo një operacion fantazmë. Kemi të bëjmë me një zinxhir institucional që prodhon vetëm alibi, ku secili hallkë justifikohet me tjetrën, ndërsa prova zhduket.

Përpara se shteti të shpallë në kërkim Eno Agasin, duhet të mbajë përgjegjësi për faktin absurd se kontrabanda u zhduk nga vetë duart e shtetit. Po, Eno Agasi duhet të arrestohet për kontrabandë dhe dyshime serioze për veprimtari kriminale, por kjo nuk e pastron aspak fajin institucional. Përkundrazi, e nxjerr edhe më zbuluar.

Zhdukja e verës nuk është një episod anësor i hetimit. Është prova më e qartë e shpërbërjes së funksionit shtetëror, e një sistemi ku përgjegjësia mbetet gjithmonë pa autor, ku provat zhduken më shpejt se firmosen urdhrat dhe ku institucionet reagojnë vetëm pasi dëmi është bërë i pakthyeshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.