Momenti kur Dorian Kasa i vë thikën në fyt efektivit të Rrugores
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një efektiv i Policisë Rrugore është sulmuar gjatë kryerjes së detyrës në një nga akset më të ngarkuara të kryeqytetit. Autori i dyshuar është identifikuar si Dorian Kasa, i cili dyshohet se ka tentuar të çarmatosë policin duke përdorur edhe një mjet prerës.
Incidenti ka ndodhur në zonën e njohur si Kthesa e Kamzës, pranë një rrethrrotullimi përballë një spitali privat, rreth orës 08:00 të mëngjesit të së premtes. Sipas të dhënave paraprake, efektivi Loren Rama ishte duke menaxhuar trafikun kur është përballur papritur me agresorin.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin e përplasjes mes dy personave, ku pas një përleshjeje të shkurtër, ata përfundojnë në tokë në mes të rrugës.
Në një reagim paraprak, efektivi ka sqaruar se nuk e njihte personin që e sulmoi dhe se gjithçka ndodhi në mënyrë të papritur. Ai ka treguar se reagoi menjëherë sapo kuptoi rrezikun, duke bërë të mundur neutralizimin e situatës.
Sipas Policisë së Shtetit, autori i është afruar efektivit me qëllim për t’i marrë armën e shërbimit dhe gjatë tentativës i ka vendosur një thikë në fyt. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë ka shmangur pasoja më të rënda.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për dokumentimin ligjor të saj, ndërsa priten detaje të tjera në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



