Morën peng një person, 3 të arrestuar
tre të arrestuarit janë Myrteza Domi, Denisa Karagjozi dhe Enea Taho, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë një 14-vjeçar.
Personat u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Kalaja”, ndërsa iu sekuestrua 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, një sasi dozash me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva dhe një thikë.
Policia thotë se personat kanë ushtruar edhe dhunë fizike dhe psikologjike ndaj 34-vjeçarit, të cilin e mbajtën peng.
Njoftimi
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasit J. Gj., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, i kanë hequr lirinë nën kërcënimin e armës 4 shtetas, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur finalizimin e operacionit “Kalaja”, ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. D., 28 vjeç, E. T., 33 vjeç dhe D. K., 35 vjeçe, të tre banues në Gjirokastër, si dhe u procedua në gjendje të lirë një 14 vjeçar.
Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin nën kërcënimin e armës i kanë hequr lirinë shtetasit J. Gj, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tij për disa orë.
Falë reagimit të menjëherëshëm të Policisië dhe veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi dhe vënia në pranga e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit E. T., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, një mjet mprehës (thikë).
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



