‘Mos lëvizni pa arsye’, paralajmëron meteorologia: Stuhi, rrebeshe!
Meteorologia Tanja Porja ka dhënë alarmin për një përkeqësim të fortë të motit në Shqipëri, duke paralajmëruar stuhi të fuqishme ere, reshje intensive dhe shkarkesa të shumta elektrike në të gjithë territorin.
Porja e cilësoi situatën “mjaft kritike dhe shumë dinamike”, duke theksuar se zonat më të rrezikuara gjatë orëve në vijim do të jenë veriu dhe qendra e vendit, ndërsa reshjet do të shtrihen gradualisht drejt jugut në mbrëmje dhe ditën e nesërme.
- Reshjet më të dendura: Veri & Qendër
- Rrebeshe me intensitet mesatar: I gjithë territori
- Stuhitë më të forta të erës: Gjysma veriore e Shqipërisë
- Rrezik për stuhi detare dhe dallgëzim të lartë
Porja paralajmëroi në A2 CNN se situata do të rëndohet më tej gjatë mesditës:
“Në mesditë përkeqësohet moti në të gjithë territorin. Reshjet me intensitet të lartë në veri e qendër dhe mesatar në jug. Në mbrëmje intensiteti rritet në të gjithë vendin”.
Meteorologia këshillon qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi priten reshje të rrëmbyeshme, erëra të forta dhe rrufe të rrezikshme:
“Lëvizjet pa arsye thelbësore nuk janë të këshillueshme. Do të ketë reshje intensive, fuqizim të erës dhe shkarkesa elektrike”.
Ndërkohë, temperaturat pritet të zbresin ndjeshëm, veçanërisht në mesditë:
“Vlerat termike në mesditë ulen me të paktën dy gradë. Në Berat dhe në Gjirin e Sarandës pritet që temperaturat të arrijnë deri në 21°C”.
Porja jep edhe një paralajmërim të ri: Fundjava do të sjellë reshje dëbore, sidomos në zonat malore, duke shënuar një ndryshim të fortë klimatik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



