Moti ekstrem godet Italinë dhe Gjermaninë, mijëra rrufe dhe tornado
Një valë e fuqishme moti të keq ka përfshirë disa zona të Italisë dhe Gjermanisë, duke sjellë stuhi të forta, reshje intensive, përmbytje, mijëra rrufe dhe tornado.
Në Itali, situata më problematike është regjistruar në Liguria, ndërsa kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë bërë që autoritetet të ngrenë nivelin e alarmit edhe në Toskanë.
Në Gjermani, pasojat kanë qenë më të rënda. Stuhitë e fuqishme dhe dy tornado kanë shkaktuar një viktimë, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në banesa e automjete.
40 mijë rrufe në Liguria, njëra godet trenin
Rreth 40 mijë rrufe janë regjistruar në rajonin e Ligurias, më shumë se gjysma e tyre vetëm në zonën e Gjenovës.
Një prej rrufeve goditi trenin Frecciabianca 8601, i cili po udhëtonte nga Gjenova drejt Romës. Për shkak të një defekti teknik të shkaktuar nga goditja, treni u detyrua të ndalonte në zonën e Tigullios.
Pasagjerët u transferuan në një tren tjetër, duke vijuar më pas udhëtimin drejt destinacionit.
Probleme janë shënuar edhe në aeroportin e Gjenovës, ku disa fluturime janë vonuar për shkak të motit të përkeqësuar. Ndërkohë, një avion që ishte nisur nga Bukureshti u detyrua të devijonte drejt Pizës gjatë orëve të para të ditës.
103 milimetra shi në vetëm një orë
Reshjet më intensive në Liguria janë regjistruar në Chiavari, në provincën e Gjenovës, ku brenda vetëm 60 minutash kanë rënë 103 milimetra shi.
Në zonat malore, sasia e reshjeve ka kaluar 60 milimetra, duke shkaktuar grumbullime të mëdha uji dhe përmbytje.
Për shkak të situatës, autoritetet kanë mbyllur disa nënkalime, ndërsa Mbrojtja Civile vijon monitorimin e zonave të prekura. Deri tani, nuk raportohet për situata emergjente me përmasa të mëdha.
Meteorologët paralajmërojnë se kushtet atmosferike të paqëndrueshme mund të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Pas një përmirësimi të mundshëm të përkohshëm të motit gjatë së enjtes, një tjetër përkeqësim pritet të premten, me reshje më intensive dhe stuhi përgjatë zonave bregdetare.
Alarm portokalli në Toskanë
Rreziku nga moti i keq është shtrirë edhe në Toskanë, veçanërisht në pjesën qendrore dhe veriore të rajonit.
Qendra Operative Rajonale e Mbrojtjes Civile ka shpallur alarm portokalli për stuhi të forta nga ora 22:00 e së enjtes, 20 gusht, deri në orën 18:00 të së premtes, 21 gusht.
Në pjesën tjetër të Toskanës është vendosur alarm i verdhë për ditën e premte, ndërsa është dhënë paralajmërim edhe për rrezikun e përmbytjeve përgjatë rrjetit kryesor të lumenjve në pjesën qendrore të rajonit.
Tornadot godasin Gjermaninë, një grua humb jetën
Situata ka qenë edhe më e rëndë në Gjermani, ku stuhi të fuqishme dhe dy tornado kanë shkaktuar dëme në disa lande.
Në Walldorf, në Rheinland-Pfalz, një grua 58-vjeçare ka humbur jetën dhe një tjetër, 47 vjeçe, është plagosur rëndë pasi një pemë e shkulur nga era ka rënë mbi strehën ku ato ishin futur për t’u mbrojtur nga stuhia.
58-vjeçarja humbi jetën në vendngjarje, ndërsa gruaja tjetër u transportua në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Stuhitë kanë rrëzuar pemë dhe kanë shkaktuar dëme në ndërtesa edhe në zona të tjera të Rheinland-Pfalz.
Një tornado është konfirmuar në zonën e Fürstenwalde-Spree, në Brandenburg, pranë Berlinit. Sipas autoriteteve, fenomeni shkaktoi dëme materiale, ndërsa disa automjete u dëmtuan nga pemët e rrëzuara. Nuk raportohet për persona të lënduar.
Një tjetër tornado goditi zonën pranë Wetzlarit, në Hessen. Sipas zjarrfikësve, rreth 60 banesa janë dëmtuar nga fenomeni ekstrem.
Në Laubach, një pemë e rrëzuar dëmtoi një rezervuar gazi pranë një godine banimi. Për shkak të rrjedhjes së gazit, autoritetet urdhëruan evakuimin e zonës brenda një rrezeje prej 200 metrash.
Dëme edhe në Turingi dhe Bavari
Pasojat e motit ekstrem janë ndjerë edhe në Turingi dhe Bavari, ku disa banesa kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe janë bërë përkohësisht të pabanueshme.
Shërbimi Meteorologjik Gjerman ka paralajmëruar se aktiviteti i stuhive mund të vijojë, veçanërisht në pjesët jugore të Baden-Württembergut dhe Bavarisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



