E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Moti i keq ‘mbërthen’ Kosovën, dy komuna shpallin gjendjen e jashtëzakonshme
Lajme

Moti i keq ‘mbërthen’ Kosovën, dy komuna shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Situata e përmbytjeve në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese edhe gjatë ditës së sotme, me dy komuna – Junikun dhe Malishevën – që kanë shpallur zyrtarisht gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve intensive dhe vërshimeve.

Zonat më të goditura mbeten Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova. Në këto rajone janë raportuar përmbytje në oborre banesash, bodrume dhe segmente rrugore, ndërsa në Gjakovë autoritetet kanë ndërmarrë masa për evakuimin e mbi 20 familjeve, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në pjesën tjetër të vendit, situata paraqitet më e qetë dhe e qëndrueshme, megjithatë institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë përmes sistemit të komunikimit emergjent të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, për të reaguar në kohë ndaj çdo përkeqësimi të mundshëm.

Si masë parandaluese dhe për garantimin e sigurisë publike, autoritetet kanë vendosur edhe shtyrjen e fillimit të procesit mësimor, i cili pritet të nisë më 12 janar.

Situata e krijuar ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe aktorë politikë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar angazhimin e institucioneve dhe solidaritetin qytetar, duke theksuar se përballja me vërshimet po bëhet me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mbrojtje të jetës dhe pronës.

Ajo bëri të ditur se gjatë gjithë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po koordinojnë menaxhimin e situatës në terren në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qendrore.

Ndërkohë, nga Partia Demokratike e Kosovës është kërkuar aktivizimi i plotë i të gjithë mekanizmave shtetërorë, duke theksuar se përgjegjësia për menaxhimin e emergjencës duhet të merret pa vonesa. Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar gjendjen si një urgjencë kombëtare, duke u bërë thirrje institucioneve qendrore dhe lokale që të intensifikojnë maksimalisht përpjekjet për përballimin e situatës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.