Moti i keq zbarkon në Shqipëri, zonat më problematike
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatar dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Megjithatë, në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive të djeshme pasdite kanë dëmtuar segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të Forcave të Armatosura, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në Bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë. Po ashtu, në qarkun e Lezhës, një pemë e rrëzuar në aksin Lezhë–Shëngjin ka dëmtuar linjat elektrike dhe ka ndërprerë furnizimin me energji. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh, ndërsa forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Territori i Qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, të cilat gjatë natës kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në akset nacionale. Ndërhyrjet e vazhdueshme të subjekteve kontraktore kanë bërë të mundur pastrimin dhe mbajtjen funksionale të rrugëve, ndërsa të gjitha akset rrugore nacionale mbeten të qarkullueshme normalisht.
Bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportojnë problematika emergjente, por reshjet e intensitetit të lartë dhe era e fortë kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona.
Në bashkinë Kukës, pa energji kanë mbetur:
-
Fshati Kolosjan në Njësinë Administrative Bicaj
-
Njësitë Administrative Grykë Çajë, Shishtavec
-
Fshatrat Mamëz (Kolsh), Turaj (Topojan), si dhe Pistë, Gëdheshtë e Shëmri (Malzi)
Në bashkinë Has, ndërprerje energjie ka pasur në fshatin Zarisht (Nj.Adm Fajza) dhe fshatrat Kishaj, Pogaj dhe Gjinaj (Nj.Adm Gjinaj).
Në Tropojë, pa energji janë fshati Berishë (Nj.Adm Bytyç), si dhe Njësitë Administrative Lekbibaj dhe Fierzë.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës. Autoritetet lokale njoftojnë se situata po monitorohet në vijimësi dhe ekipet janë të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme ku është e nevojshme.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika të konsiderueshme nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet gjithashtu mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëjnë me dije se janë në gatishmëri të plotë, në koordinim me strukturat vendore, për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Banorëve të zonave të prekura u rekomandohet të kontaktojnë autoritetet vendore në rast problemi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


