Stuhia në Sarandë shkatërron çatinë e pallatit, banorët në qiell të hapur
Stuhia e fuqishme që përfshiu mbrëmjen e së martës qytetin e Sarandës ka lënë pas dëme të shumta materiale, duke vënë në vështirësi banorët e një pallati 12-katësh në Lagjen 4.
Sipas pamjeve të mbërritura në redaksi, era e fortë ka shkulur pothuajse të gjithë çatinë e godinës në rrugën “Idriz Alimadhi”, pranë Portit të Vjetër. Si pasojë, apartamentet në katin e fundit kanë mbetur të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike, ndërsa banorët përballen me pasiguri dhe rrezik të vazhdueshëm.
Materialet e çatisë, përfshirë tjegulla dhe dërrasa, janë rrëzuar në rrugë, duke shkaktuar dëme në automjetet e parkuara dhe duke rrezikuar kalimtarët.
Një prej banorëve shprehet se Emergjenca Civile është njoftuar që prej mbrëmjes së kaluar dhe sërish gjatë ditës së sotme, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga institucionet:
“Jam një banor i pallatit 12-katësh në rrugën ‘Idriz Alimadhi’, Lagjja 4, pranë Portit të Vjetër në Sarandë. Pas stuhisë pallati ka pësuar dëme të mëdha. Kati i fundit është totalisht i hapur. Makinat poshtë janë dëmtuar nga rënia e materialeve. Kemi njoftuar Emergjencën Civile, por ende nuk kemi marrë asnjë ndihmë.”
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për sigurimin e godinës dhe vlerësimin e dëmeve, ndërsa theksojnë se rreziku vijon të jetë prezent edhe pas përfundimit të stuhisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



