Moti/ Shi intensiv, vendi rrezikohet nga përmbytjet
Reshjet shiut do të jenë intensive gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme. Kështu thuhet në parashikimin e motit të bërë nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
Sipas tyre, zonat më të rrezikuara për tu përmbytur janë në veri të vendit, për shkak të reshjeve të shiut dhe shkrirjes së dëborës.
Më poshtë keni parashikimi për pasditen e sotme dhe nesër:
Rreziku nga përmbytjet
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë do të kenë prurje të larta kryesisht në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme.
Sot baseni Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të ketë tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve. Nesër në mbrëmje dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 Mars 2018 rritja e prurjeve dhe e niveleve në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të jetë më e ndjeshme.
Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars 2018.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.

Parashikimi i motit
Sot pasdite dhe nesër në shumicën e qarqeve priten reshje mesatare dhe intensive, deri lokalisht shumë intensive, shoqëruar edhe me shtrëngata. Përjashtim do të bëjnë qarqet Berat dhe Fier, ku reshjet do të jenë të dobëta (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
Pritet prania e reshjeve në formë dëbore në 1100 m mbi nivelin e detit, kryesisht në veri dhe veri-lindje të vendit.
Temperaturat
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 11 / 16 °C
në vendet e ulëta: 8 / 15 °C
në vendet malore: 4 / 11 °C.
Era
Sot pasdite dhe nesër era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet deri e fortë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



