“M’u errën sytë”, zbardhet dëshmia e babait që plagosi vajzën në Durrës
Është bërë publike dëshmia e 56-vjeçarit që ditën e djeshme plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare në qytetin e Durrësit, si edhe një koleg të saj që ndërhyri për ta ndihmuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, në ambientet e punës së të resë, pas një konflikti familjar të përsëritur. Sipas policisë, gjatë përplasjes babai ka nxjerrë thikën duke plagosur vajzën, ndërsa kolegu i saj mbeti i lënduar në momentin që tentoi ta ndalonte.
Në dëshminë e dhënë për hetuesit, Mikel Ndoj ka pranuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar se në momentin e sulmit ishte nën efektin e alkoolit dhe në gjendje të rënduar emocionale. Ai ka shprehur pendesë për veprimet e tij dhe ka kërkuar falje për atë që ndodhi.
Sipas tij, shkaku i konfliktit ishte marrëdhënia e acaruar me vajzën, të cilën ai e akuzon për shpërfillje dhe refuzim të vazhdueshëm për komunikim. 56-vjeçari ka treguar se kishte shkuar në vendin e punës së saj pasi ajo nuk i ishte përgjigjur thirrjeve telefonike.
“Shkova te puna e saj sepse nuk më kthente telefonin. Doja të flisnim dhe të ribashkohesha me familjen. Ajo më tha se nuk donte të kishte më asnjë lidhje me mua dhe se për të nuk ekzistoja më. Në atë moment humba kontrollin. I kërkova të dilnim jashtë për të biseduar, por ajo më shtyu. Nuk mbaj mend çfarë ndodhi më pas”, ka deklaruar ai.
Sipas rrëfimit, gjatë përplasjes ka ndërhyrë edhe një i ri, koleg i vajzës, i cili u plagos aksidentalisht me thikë teksa përpiqej ta ndalte. Pas ngjarjes, 56-vjeçari është larguar nga vendi i krimit dhe është fshehur në një zonë pranë repartit të zjarrfikëses, ku më pas është arrestuar nga policia rreth gjashtë orë më vonë.
“Në atë moment e kuptova çfarë kisha bërë. Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për vajzën dhe për djalin që u plagos, të cilin nuk e njihja fare. Jam shumë i penduar”, ka shtuar ai në dëshminë e tij.
Mësohet se në momentin e arrestimit, autori ndodhej ende nën efektin e alkoolit dhe në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërkohë, dy të plagosurit po marrin trajtim në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



