Murrizi nuk përmbahet ndaj Berishës: I fali bashkitë mazhorancës
Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki të vendit, të cilat u fituan të gjitha nga Partia Socialiste.
Murrizi akuzoi kreun e PD-së, Sali Berisha, se “ia fali” mazhorancës këto zgjedhje, duke treguar, sipas tij, mungesë të plotë përgjegjshmërie politike ndaj elektoratit opozitar.
“O do shkosh në parlament, o s’do shkosh. Unë jam kundër bojkotit. Armiku që s’ju binda tufës për të djegur mandatet, tani më thonë ‘ke pasur të drejtë’. I braktisën pesë bashkitë në zgjedhjet që u zhvilluan të dielën,” tha Murrizi.
Ai shtoi në emisionin “Breaking”, se një opozitë e vërtetë duhet të kërkojë zgjedhje dhe të përgatitet për t’u përballur me kundërshtarin, jo të tërhiqet nga gara.
“Një opozitë e përgjegjshme mezi pret zgjedhjet, qoftë për të matur forcën e vet, qoftë për të rreshtuar militantët që besojnë tek ajo. Por këta thonë ‘do qerasim me kandidatë të pavarur’. Pse ekziston ti si opozitë, nëse nuk hyn në garë?”
Murrizi ironizoi gjithashtu qëndrimin pasiv të një pjese të deputetëve të PD-së, të cilët, sipas tij, janë mjaftuar me komoditetin e mandatit, duke harruar përgjegjësinë për të përfaqësuar votuesit:
“Ata që janë në listë të hapur janë deputetë, kështu e thotë Kushtetuta. Të paktën shtatë prej tyre duhet të flasin në emër të sovranit. Por meqë u rehatuan në ato karrige, i lanë edhe pesë bashkitë, as mish, as peshk. Shqipëri ku edhe qentë të kenë të drejtë vote, prapë do të votojnë për një parti. Ku ka të pavarur këtu?”
Me deklaratat e tij të drejtpërdrejta, Murrizi shigjetoi ashpër lidershipin aktual të opozitës, duke e akuzuar për pasivitet dhe mungesë vizioni në një moment kur, sipas tij, Shqipëria ka më shumë se kurrë nevojë për një opozitë funksionale dhe përfaqësuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



