Na hoqën të drejtën të jemi prindër
Është koha të ngrihemi në referendum për të mbrojtur familjen, gjuhën dhe shpirtin shqiptar

Opinion| Arben Llangozi | Publik.al
Tani, me ligjin e ri për “barazinë gjinore”, na thuhet se nuk duhet t’i themi më djalit “djalë”, as vajzës “vajzë”. Sepse, sipas tyre, kjo është “diskriminim”. E nëse guxon ta bësh, psikologia e shkollës të paralajmëron se mund të të hiqet e drejta prindërore. Mendoni pak të të ndalojnë të quash fëmijën tënd me emrin që e ke thirrur që në frymën e parë!
Çfarë kohe e trishtuar po jetojmë! Në vend që të na mësojnë si të jemi prindër më të mirë, po na marrin të drejtën të jemi vetë prindër. Po na thonë se dashuria jonë, mënyra si flasim me fëmijët tanë, është “e gabuar”. Në shtëpitë shqiptare ku dikur dëgjohej zëri i nënës: “hajde vajzë”, “ec bir”, tani mbizotëron frika, frika se mos ndëshkohesh për dashurinë më të pastër që ekziston.
Na hoqën fjalët që na mbajtën gjallë brez pas brezi. Na hoqën “nënën”, “babanë”, “djalin”, “vajzën”. Na lanë vetëm me një boshllëk të ftohtë, pa shpirt, ku prindi quhet “kujdestar ligjor” dhe familja “njësi sociale”.
Një fjalor i ri që s’ka zemër, s’ka frymë, s’ka lot. Ky s’është ligj për barazi, është ligj që vret shpirtin dhe historinë një kombi. Një komb që u mbajt mbi besë, nder, familje e dashuri prindërore, po detyrohet të heshtë para fëmijëve të vet.
Na kërkojnë të mos e quajmë vajzën “vajzë”, e djalin “djalë”. Po nesër çfarë do të na ndalojnë tjetër? Të themi “atdhe”? Të përmendim “besën”? Të kujtojmë “nderin”? Është e dhimbshme. Është tragjike.Sepse nuk po shuhet vetëm një fjalë, po shuhet lidhja më e shenjtë që ekziston: ajo midis prindit dhe fëmijës. Dhe me të, po shuhet një copëz e shpirtit shqiptar.
Për këtë arsye, është koha të ngrihemi si prindër, si qytetarë dhe si komb në një referendum mbarëpopullor, për të mbrojtur familjen shqiptare nga shkatërrimi i vlerave që na kanë mbajtur gjallë ndër shekuj. Nuk mund të pranojmë që një ligj i huaj për shpirtin tonë të na diktojë si t’i quajmë fëmijët tanë, si të flasim në shtëpinë tonë, apo si të tregojmë dashurinë prindërore.
Familja nuk është çështje politike, është themel i kombit. Dhe nëse sot heshtim, nesër do të jetë vonë. Referendumi duhet të jetë zëri ynë i përbashkët, klithma e një populli që nuk pranon të dorëzojë as nënën, as babanë, as djalin, as vajzën, sepse me to rron vetë shpirti shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



