Ndahet nga jeta në moshën 16-vjeçare kampioni shqiptar i atletikës
Një lajm i rëndë ka tronditur sot qytetin e Shkodrës dhe gjithë komunitetin sportiv në Shqipëri. Dardan Baraku, një nga talentet më premtuese të atletikës shqiptare, është ndarë nga jeta në moshën vetëm 16-vjeçare.
I njohur për shpejtësinë dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, Dardani kishte arritur të shpallej kampion i Shqipërisë në garën e 100 metrave për grupmoshën U16, duke u kthyer në një nga emrat më të spikatur të brezit të ri në atletikë.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se i riu humbi jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në tru, të cilën e kishte të domosdoshme për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’i mbijetojë operacionit.
Humbja e tij ka sjellë reagime të shumta, ndërsa Bashkia Shkodër ka shprehur publikisht ngushëllimet për familjen Baraku, të afërmit, si dhe për Shoqatën e Atletikës “Vllaznia” dhe gjithë komunitetin sportiv që e njohu dhe e mbështeti.
Largimi i parakohshëm i Dardan Barakut lë pas një dhimbje të thellë dhe një boshllëk të madh, jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për sportin shqiptar, i cili humbi një talent me potencial të jashtëzakonshëm. Emri i tij do të mbetet gjatë në kujtesën e atletikës kombëtare si simbol i pasionit dhe përkushtimit ndaj sportit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



