E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Në Bulqizën e galerive të kromit, ku vdekja blihet me nje grusht krom…!
Uncategorized

Në Bulqizën e galerive të kromit, ku vdekja blihet me nje grusht krom…!

Të kërrusur dhe me krye të mbuluar me shall e kapuç, tre persona, që duken si gra, gërryenin në anë të rrugës. Ftohtë i egër! Ata nuk e drejtojnë fare kurrizin, po shohin në një grumbull gurësh dhe nxjerrin prej aty ca guralecë të mbuluar me shtresë të hollë rëre. Janë dy gra dhe një burrë.

Nuk e ngrenë kryet as të të përshëndesin, ndonëse ndër dhëmb të thonë aq sa duan ata të të thonë. Janë ngjitur me rrugën kryesore të Bulqizës së Vjetër! Aty kalon një Mercedes luksoz dhe duket sikur i kontrollon, por nuk afrohet.

Mbushin arkën dhe të tregojnë vetëm se si arrijnë të dallojnë gurin-bukë dhe kërcënues! Janë të vetëdijshëm! “Asgja ma keq se kaq nuk mund të ndodhë”!

Nëse i pyet se për ç`të keqe flasin, ata picërrojnë sytë në atë grumbull gurësh aq sa të krijojnë përshtypjen se me atë shatë, gërryejnë fundin tonë të përbashkët… Shoqëruesit, njohës të mirë të zonës, rrezikut, kërcënimit, mbijetesës dhe vdekjes që prodhohet aty dhe në grumbuj gurësh, të kërkojnë të lëvizësh; qëndrimi i gjatë në një vend të identifikon dhe nuk është e udhës të të njohin para se të fillohet puna..! Bindem!

Dalin nga jashtë qytetit dhe duhet patjetër të parkojmë, pasi aty s`ka më rrugë. Diku më tutje janë ca furgonë; mbledhin mallin! Shoqëruesit japin informacion për mekanizmin se si sillen furnizuesit e furgonëve, ndërsa më ngatërrohet koncepti “mall”. Gurët e kromit vetiu më kthehen në tonelata hashashi. Njehsohen e marrin formën e vdekjes.

Një djalë, diku tek te 20-t, po zbret faqen e kodrës së “pavlerë” me një arkë të mbushur me gurë. Arka gati e ka palosur në dysh. Ai vijon deri te furgoni. Jemi të panjohur dhe nuk i ngre sytë të na shohë. Sigurisht kullon djersë edhe pse akulli ka mbuluar edhe rrugën…

Të dhemb shpirti dhe s`ke guxim as t`i afrohesh; aty ndjeshmëritë ngatërrohen keqas ndërsa, në momentin që tenton të heqësh sytë prej tij, në një grumbull plehrash, të përzier me helme gjithfarësh, takon 3-4 fëmijë fare të mitur. Janë aty, vetëm! Shoqëruesit tregojnë se aty, rrëzë masivit që fsheh mistere gjithfarësh, jetojnë njerëzit më të varfër të vendit.

Ata fëmijë janë të tyre dhe sigurisht janë pasqyra e rrënimit që vjen nga kodra e përgjakjes…atje ku vetëm pak ditë më parë, kishin dalë të pajetë tre trupa njerëzish. Ishin kinezë dhe ne, shqiptarët, as emrat nuk ua mësuam. Fundja, çfarë rëndësie kishte; si ata e më keq ende kanë vdekur me dhjetëra shqiptarë, aty, brenda atij kantieri ku gjymtimi dhe vdekja janë më të zakonshme se fryma dhe rroga! Ndalim-kalimi!

Ngjitemi në rrafsh, atje ku sigurisht nuk lejohesh të hysh. Një burrë, me uniformë të kompanive të sigurisë është mjaft i sjellshëm. Vetë tregon se është i paautorizuar, por do të thërriste shefin të vinte. Aty, dy kamionë të rëndë sillen e mbështillen brenda ambienteve të ndaluara, ndërsa dy tabela, një brenda dhe një jashtë të kujtojnë rregullat e punonjësve: Asnjë punonjës nuk duhet të konsumojë pije alkoolike brenda ambienteve të punës.

Se ç`lidhje kishte alkooli me ata punonjës që hyjnë e ndoshta nuk dalin, e mora vesh më vonë. Sigurisht, duhej dikush të më tregonte gjithçka ndodhte brenda atij rrethimi, ndonëse mu duk se askush nuk e thoshte të vërtetën; atë të gjithën që ndoshta mund të ndryshonte njëherë e përgjithmonë atë ferr njerëzor që luhet me bekimin e krejt pushteteve të vendit tonë… Vjen “shefi”!

Mban të njëjtën uniformë me rojën. Edhe ai është i sjellshëm! Është trajnuar për të pritur të panjohur që kanë kuriozitet të hyjnë brenda, e aq më tepër menjëherë pas një ngjarjeje mjaft të rëndë, për të cilën askush nuk foli, vetëm një media lokale zëri i të cilës mbetet e mbytet aty! Kinezët, që vdiqën në nivelin e 21 të nëntokës, ende nuk dihet se çfarë defekti iu mori jetën, pasi askush nuk ka hetuar, ndërsa në vendin e minatorëve, ata që kanë dalë nga ai ferr i licencuar si të përjashtuar dhe janë të vendosur në një sektor tjetër, të gjithë dinë të vërtetën.

Shefi të thotë se është e pamundur të hyhet aty, pasi ai vend është vetëm për njerëz të autorizuar dhe jo për gazetarë. Shoqëruesit, gjithnjë janë koshientë se asnjë lloj shansi nuk mund të ekzistojë që një hulumtues i punëve të atij vendi të kalojë atë portë të blinduar hekuri. Dhe ashtu ndodh! Historia e vdekjes së tre kinezëve, do të mbetet atje, nën nivelin e 21, aty ku thuhet se shkak i vdekjes u bë energjia elektrike!

Kthim rrëzë masivit

Një grua e re, del e merr fëmijën te grumbulli i mbetjeve të rrezikshme. Aty janë edhe katër të tjerë, ndërsa në derën e një shtëpie që nuk është as kasolle gjendet një grua e shurdhër. Ka kohë që ka humbur kontaktin me zërin e botës, po jo me pamjen. Në derën e saj, sapo masivi vrasës t`i lejojë lëshimin e dritës, ajo del dhe i kthen fytyrën malit; aty ka mbetur njëri nga tre djemtë e saj.

Dy të tjerët e vijojnë sërish kërkimin e jetës-vdekje në ato rrënoja, ndërsa Feridja, teksa vajton humbjen e të voglit, pret me padurim orën 14.00 të shohë në atë shpat mali-mostër ardhjen e dy djemve. Edhe gruaja e re, që në fakt ende nuk e njeh mirë se çfarë ka në atë vend, pret burrin e saj të vijë pasi ajo ishte banorja më e re e lagjes.

Kishte ardhur nga Maqellara dhe aty kishte marrë një tjetër kolibe me qira, sepse atje ku kishte qenë e kishte pasur të pamundur jetesën. Thotë se burri i saj punon jashtë galerive, pasi atje nuk e kanë pranuar.

Ajo nuk i di shkaqet. E s`ka se si. Me sa duket bashkëshorti i saj nuk di të mbajë sekrete. Aty mësova për herë të parë se të punosh nëntokë, a-ja e rregullores së brendshme, të jashtme dhe e krejt jetës ishte: Ruaj sekretin dhe mos fol me askënd!!! E pamundur të vijosh bisedën me ato dy gra që presin njerëzit e tyre të dashur të vijnë nga mali i kromit, ndërsa katër djem, adoleshentë afrohen të na përshëndesin.

Ata i kanë mësuar rregullat që kërkon kromi dhe mafia e kromit; nuk flasin, edhe pse kanë dëshirë të ndajnë me dikë lodhjen e tyre prej burrash tmëdhenj. Pëllëmba e njërit, që mbante një gur të çmuar në dorë dhe që kishte vendosur t`ia bënte dhuratë të panjohurës, kishte marrë formën e dorës së një të moshuari që ka punuar prej një jete në ndërtim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.