E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Në shesh duan largimin e tij, Rama vijon refrenin: Faji i algoritmit!
Lajme

Në shesh duan largimin e tij, Rama vijon refrenin: Faji i algoritmit!

Kryeministri Edi Rama, gjatë një vizite në Gjermani, ka komentuar protestat që po zhvillohen prej 32 ditësh në Tiranë, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Në fjalën e mbajtur në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, Rama e cilësoi protestën si një sinjal të rëndësishëm për të dhe për qeverinë që drejton. Ai theksoi se po përpiqet ta kuptojë këtë reagim qytetar përtej shifrave, duke u fokusuar tek shqetësimet reale të pjesëmarrësve.

“Shumë prej jush keni dëgjuar për revolucionin e flamingove. Si kryeministër, e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë kujdes, jo duke numëruar njerëzit në rrugë, por duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet, ankthet dhe shpresat që i sollën njerëzit aty. Qeveria që rresht së dëgjuari, rresht së qeverisuri”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se çdo përfundim mbi këtë situatë duhet parë në kontekstin e transformimit demokratik të vendit, duke nënvizuar se zhvillimet aktuale janë pjesë e një procesi më të gjerë.

“Çfarëdo konkluzioni që kemi arritur për vetë çështjen, në fakt nuk mund të themi që kemi arritur diçka plotësisht të vlefshme, sepse kjo është pjesë e transformimit demokratik të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Në vijim, Rama bëri një retrospektivë të historisë së protestave në vend, duke kujtuar periudha kur ato nuk lejoheshin apo konsideroheshin të rrezikshme.

“Kemi jetuar në një kohë kur protesta nuk lejohej dhe marrëveshja ishte e detyrueshme. Më pas erdhëm në një periudhë kur protestat u bënë të rrezikshme. Në të njëjtin bulevard ku sot flamingot festojnë lirinë, kemi pasur njerëz që u vranë, protestues që humbën jetën. Jo shumë kohë më parë”, tha Rama.

Një pjesë të konsiderueshme të fjalës së tij ai ia kushtoi ndikimit të rrjeteve sociale dhe algoritmeve në perceptimin publik të protestave, duke argumentuar se ato krijojnë një realitet të deformuar.

“Ajo që dua të them është se, pas gjithë kësaj të mire, erdhi edhe ana e errët: modeli i biznesit. Protesta hyri në makinerinë e amplifikimit algoritmik dhe u shndërrua në një arenë për aktorë dashakeq. Realiteti kërkonte një binjak dixhital; çdo zë u kthye në rekomandim, çdo ekzagjerim në angazhim dhe çdo reagim emocional në sinjal për platformat që të prodhonin edhe më shumë nga e njëjta gjë”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, ky proces ka zhdukur kontekstin dhe kompleksitetin e ngjarjeve reale, duke krijuar një version të deformuar të protestës në hapësirën online.

“Konteksti u zhduk, kompleksiteti u zhduk. Protesta online nuk përshkruante më realitetin, por u kthye në një demonstrim më të madh, më të thjeshtë dhe më të zemëruar. Miliona njerëz që nuk kishin qenë kurrë në Shqipëri nuk përjetuan vetë protestën, por interpretimin që algoritmi i bëri asaj. Realiteti dixhital u bë më ndikues se ai fizik. Kjo është pjesa e shëmtuar: jo qytetarët dhe jo protesta, por shtrembërimi dhe zëvendësimi i realitetit përmes optimizimit. Dhe kjo nuk është vetëm një histori shqiptare”, përfundoi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.