E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Në Shqipëri mund të blesh gjithçka, përfshirë edhe ligjet e parlamentit
Publik News

Në Shqipëri mund të blesh gjithçka, përfshirë edhe ligjet e parlamentit

Një numër i konsiderueshëm ligjesh janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë për llogari të interesave klienteliste të qeveritarëve të ndryshëm ndërsa procesi ligjvënës dukshëm nuk respekton standardet e nevojshme të transparencës në mënyrë që publiku të ketë dijeni se kush i propozon ligjet që miratohen dhe për çfarë arsyesh këto ligje propozohen, u bë e ditur në një raport të Transparency International dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në lidhje me fenomenin e kapjes së shtetit nga interesat private.

Raporti u publikua të martën online. Dragan Mijatoviç, përfaqësues i organizatës ndërkombëtare Transparency International për rajonin e Ballkanit dhe Turqinë, theksoi se shembujt e bollshëm të vënë në dispozicion të studimit nga ekspertët shqiptarë flasin qartazi për kapjen e shtetit, aq sa mund të shërbejnë si shembuj ilustrues për studime të tilla në vende të tjera.

Eksperti Gjergj Vurmo nga IDM vërejti se një praktikë parlamentare e vendosur disa vite më parë, në të cilën deputetët fitojnë të drejtën të bëjnë propozime për ndryshime ligjesh vetëm njëzet e katër orë para seancës parlamentare është bërë mekanizmi kryesor i ndërhyrjeve ligjvënëse në formën e kapjes së shtetit në mënyrë pothuajse të padukshme, duke lënë pak gjurmë pas dhe duke shmangur reagimin e publikut.

Vurmo solli si shembull për këtë një ngjarje të vitit 2015, kur Ministria e Financave propozoi një ligj të ri për industrinë e bixhozit, ligj që kishte për synim kufizimin e kësaj industrie për shkak të përmasave të mëdha që ajo kishte marrë, duke pushtuar qendrat e qyteteve dhe duke zhytur në telashe një pjesë të madhe të popullsisë. Por disa propozime nga deputetët Robert Bitri dhe Esmeralda Shkjau vetëm 24 orë para miratimit në seancë plenare, e ndryshoi kryekëput projektligjin nga një i tillë që kufizonte industrinë e bixhozit në një ligj që lejoi lulëzimin e mëtejshëm të saj.

Vurmo theksoi gjithashtu se që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, në të cilat Edi Rama dhe Sali Berisha i dhanë të drejtë vetes të zgjidhnin deputetët e partive të veta pa kurrfarë kufizimi praktik, Kuvendi i Shqipërisë ka humbur rolin si kontrollues i ekzekutivit dhe është bërë një ratifikues pa pretendime i projektligjeve të propozuara nga qeveria.

Studimi vëren se Shqipëria nuk ka mekanizëm të qartë transparence për propozimet e ndryshimeve ligjore, veçanërisht ato në fushën e taksave. Këto ndryshime, të kritikuara veçanërisht së fundmi si klienteliste në ‘favor të oligarkëve’, duket se propozohen përmes lobimit të drejtpërdrejtë privat të palëve të interesuara me autoritetet publike, kryesisht Ministrinë e Financave, ndërsa kjo e fundit refuzon të bëjë transparencë për të shpjeguar se kush e ka kërkuar ndryshimin ligjor dhe me çfarë argumentesh.

Raporti vëren gjithashtu se një numër i madh kontratash koncesionesh të qeverisë së kryeministrit Edi Rama janë paraprirë nga ndryshime në kuadrin ligjor apo nënligjor me qëllim shtrimin e rrugës për dhënien e këtyre kontratave. Rasti më flagrant duket se është ligji kontrovers i kryemininstrit Rama për dhënien me koncesion të tokës së Teatrit Kombëtar pas një ‘propozimi të pakërkuar’ nga një kompani private.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.