Në zyrën e Metës për koronavirusin, zv.ministrja zbulon çfarë diskutuan në presidencë
Një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë ishte sot në zyrën e Presidentit Meta, në lidhje me koronavirusin. Pjesë e ekipit ishte ministrja Manastirliu dhe zv.ministrja Rakacolli, kjo e fundit ka zbuluar mbrëmjen e sotme çfarë diskutuan me kreun e shtetit.
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, ka thënë se Meta kërkoi informacion për gjëra që i kishte të paqarta për përballimin e virusit si: numri i respiratorëve, organizimi i Infektivit dhe nëse ishin të mjaftueshme masat. Rakacolli ka thënë se në fund Meta është shprehur “Unë tani jam më i qetë”.
“Presidenti kërkoi një informim nga ministria e Shëndetësisë si ishte situata në Shqipëri, për disa gjëra që i kishte të paqarta për numrin e respiratorëve, organizimin e Infektivit dhe shqetësimit nëse ishin të mjaftueshme nëse do të kishim epidemi të madhe. Takimi ishte normal, në fund Presidenti u shpreh ‘unë tani jam më i qetë’. Ishte një informacion që kërkoi Presidenti, është normale që të jetë i shqetësuar. Kjo ishte ajo që u diskutua në këtë takim.
Respiratorët i kemi, i shpjeguam, po ashtu organizimin te Infektivi, por edhe planin që kemi bërë si komitet ekspertësh për ta përballuar dhe që ndryshon në dinamikë, pasi kjo ka shumë të panjohura. Kemi ngritur problemin që mund të na duhen më shumë respiratorë, qeveria dha fondin për të blerë. Kemi menduar edhe vendet ku do të vendosen respiratorët dhe linjat”, u shpreh zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në emisionin RepolitiX.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



