Nëna e Joan Zukos përlot me fjalët pas humbjes së të birit
“Boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë”
Në mes të dhimbjes së madhe për humbjen e të birit, Ornela Zuko, nëna e Joan Zukos, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, shoqëruar edhe me një fotografi familjare.
Në fjalët e saj, ajo e kujton Joanin për buzëqeshjen, mirësinë dhe dashurinë që përcillte tek njerëzit përreth, ndërsa e përshkruan dhimbjen që ka pushtuar familjen pas ndarjes së tij nga jeta si të pafund.
Nëna e të riut ka zgjedhur gjithashtu të falënderojë familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që u kanë qëndruar pranë në ditët e vështira pas tragjedisë.
“Prania juaj, fjalët ngushëlluese, përqafimet dhe çdo gjest dashurie e respekti për Joanin tonë na dhanë forcë në çastet kur zemrat tona ishin të copëtuara”, shkruan Ornela Zuko.
Ajo shprehet se mbështetja dhe mesazhet e shumta të marra pas vdekjes së Joanit treguan edhe një herë ndikimin që ai kishte pasur tek njerëzit që e njihnin dhe e kishin pranë.
“Joani ynë u largua padrejtësisht dhe shumë herët, duke lënë pas një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë”, shkruan ajo, duke shtuar se “shpirti i tij i bukur do të jetojë përgjithmonë brenda nesh”.
Joan Zuko humbi jetën pasditen e së shtunës në Korçë, pasi u qëllua me armë zjarri, ndërsa për ngjarjen është arrestuar Kristjan Sterjo, shoku i tij i fëmijërisë. Për Sterjon është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Gjatë marrjes në pyetje, Sterjo ka shprehur pendesë për ngjarjen. Sipas versionit të dhënë prej tij para grupit hetimor, mes dy të rinjve kishte pasur një konflikt të mëparshëm.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista për të përcaktuar motivin e vrasjes. Një prej dyshimeve lidhet me një konflikt të mundshëm për vajzën me të cilën Sterjo kishte lidhje, por motivi i plotë dhe rrethanat që çuan në përplasjen fatale mbeten ende nën hetim.
Ndërsa drejtësia po përpiqet të zbardhë dinamikën e ngjarjes, familja e Joan Zukos po përballet me humbjen e tij, duke e kujtuar si një të ri që u nda nga jeta shumë herët dhe la pas një dhimbje të pazëvendësueshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




