Vrasja e Joan Zukos, Gjykata lë pas hekurave Kristjan Sterjon
Kristjan Sterjo, 20-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Joan Zukos në Korçë, është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Korçës. I riu u paraqit në gjykatë nën masa të shtuara sigurie, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 8 gushtit, në Korçë, pas një serie konfliktesh të mëparshme mes dy të rinjve. Sipas dëshmisë së dhënë nga Sterjo, përplasjet mes tyre kishin nisur prej kohësh dhe lidhej edhe me pretendimin e tij se Joani kishte ngacmuar të dashurën.
Si nisi konflikti mes dy të rinjve
Sipas versionit të dhënë nga 20-vjeçari gjatë marrjes në pyetje, ditën e ngjarjes ai kishte parë Zukon në një automjet “Benz”, së bashku me një person tjetër, dhe i kishte kërkuar të ndalonte.
Kur iu afrua për të biseduar, sipas dëshmisë së tij, Zuko kishte nxjerrë një thikë dhe e kishte qëlluar në drejtim të tij, ndërsa më pas e kishte sharë.
Pas këtij momenti, Sterjo është kthyer në banesë, ku sipas deklarimeve të tij kishte fshehur një armë zjarri tip pushkë, e cila, sipas tij, ishte pa tytë. Ai e ka futur armën në një thes të bardhë dhe është nisur drejt zonës ku ndodhej Zuko.
E ndoqi dhe e qëlloi në pallat
Sipas dëshmisë së të akuzuarit, pasi është rikthyer në lagje, ai ka hasur sërish Zukon dhe pretendon se viktima e ka sharë.
Më pas, Sterjo e ka ndjekur deri në një pallat. Në katin e tretë të godinës, ai e ka qëlluar me një plumb të vetëm.
I riu ka deklaruar se synimi i tij ishte ta qëllonte viktimën në këmbë dhe se nuk kishte menduar se goditja do të rezultonte fatale. Pas të shtënës, sipas dëshmisë së tij, ai nuk është kthyer pas.
Banorët e pallatit, të alarmuar nga zhurma e armës, kanë dalë nga apartamentet dhe kanë gjetur Joan Zukon të shtrirë pranë derës së një banese.
Gjashtë orë në arrati, RENEA në ndjekje
Pas ngjarjes, policia dhe forcat RENEA kanë nisur kërkimet për 20-vjeçarin. Ndjekja ka zgjatur rreth gjashtë orë, deri në momentin e arrestimit të tij.
Sipas hetimeve, Sterjo e kishte fshehur armën në një zonë me shkurre pranë Fushës së Druve. Më pas ishte kthyer në shtëpi, ku kishte futur rrobat në lavatriçe, përpara se të largohej drejt një godine të pabanuar.
Gjatë arratisjes, ai kishte çaktivizuar edhe rrjetet sociale, në përpjekje për të humbur gjurmët.
I arrestuar edhe më parë për plagosje
Kristjan Sterjo nuk ishte i panjohur për policinë. Sipas të dhënave të bëra publike pas ngjarjes, 20-vjeçari ishte arrestuar edhe më parë për plagosje me thikë.
Tashmë ai do të përballet me akuzat për vrasjen e Joan Zukos dhe armëmbajtjen pa leje, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha rrethanat e konfliktit dhe dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Dëshmia e Sterjos për motivin dhe mënyrën e vrasjes përbën versionin e të akuzuarit dhe do të vlerësohet në kuadër të hetimit dhe procesit gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



