“Vrasja e Joan Zukos, të gjithë e dinin që autori mbante armë”
Gazetari trondit me detajet: Mristjan Sterjo rrihte, merrej me drogë, kishte plagosur më parë dhe shkonte në komisariat e dilte direkt
Pas vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko në Korçë, gazetari Xhensil Shkëmbi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ngre pikëpyetje mbi paralajmërimet e pretenduara nga qytetarët lidhur me autorin e dyshuar të ngjarjes.
Shkëmbi shkruan se pas vrasjes ka marrë 23 mesazhe në inbox, ku persona të ndryshëm pretendojnë se e njihnin të kaluarën e autorit të dyshuar dhe se kishin dijeni për sjelljet e tij.
Sipas mesazheve që ai thotë se ka marrë, autori dyshohet se mbante armë, kishte ushtruar dhunë ndaj personave të tjerë, ishte përfshirë në raste të përdorimit apo shpërndarjes së drogës dhe kishte pasur më herët probleme me ligjin.
Në reagimin e tij, gjithashtu ngre pyetjen se si është e mundur që, nëse këto pretendime kanë qenë të njohura më herët, ngjarja e rëndë në Korçë nuk është parandaluar.
Postimi vjen pas vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko, pjesëtar i Forcave të Armatosura, i cili u qëllua me armë zjarri në lagjen nr. 15 të Korçës.
Për ngjarjen është identifikuar si autor i dyshuar Kristjan Sterjo, i cili vijon të jetë në kërkim nga Policia. Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte një konflikt të mbartur.
Në reagimin e tij, Shkëmbi shpreh gjithashtu ngushëllimet për familjen Zuko dhe tregon se e njihte personalisht 20-vjeçarin. Ai shkruan se Joan Zuko i kishte treguar për dëshirën e tij për t’u bërë oficer i lartë në Forcat e Armatosura.
Pretendimet e përcjella në postimin e Shkëmbit nuk janë të konfirmuara zyrtarisht dhe mbeten për t’u verifikuar nga organet ligjzbatuese.
Reagimi i plotë i Xhensil Shkëmbit:
Më bën përshtypje. 23 mesazhe kam në inbox pas vrasjes në Korçë, ku mbeti i vdekur 20 vjeçari Joan Zuko.
“E dinim që mbante armë autori. Rrihte djem. Merrej me drogë. Ka plagosur dikë më parë. Shkonte në komisariat e dilte direkt. Ka dhunuar djem në gjimnaz. Shante mësueset. Rrihte gjimnaziste. Gjithë Korça e dinte që rrinte me armë.”
Pra, të gjithë e dinin, policia thotë që e dinte, e përsëri nuk u parandalua ngjarja.
Welcome to Columbia 🇨🇴
PS; Ngushëllime familjes Zuko. Joanin e njihja nga afër, kisha pirë njëherë kafe me të dhe më tregonte se donte të bëhej oficer i lartë në ushtri. Qoftë i parajsës!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



