Nesër ne kinema : Azizi që “rrnoi për me tregue”
Sonila Meço

Të shuarve, të mbijetuarve, vetes i detyrohemi kujtesën dhe dëshminë e çfarë sytë panë e shpirtrat vuajtën, por historia shkruar keq, dhunshëm guxoi të mohojë.
Luljeta Progni, një vulë e fortë dhe peshë e rëndë e gazetarisë shqiptare, me një ide origjinale rrëfimi, e paprovuar më herët në përpjekjen për të dokumentuar historinë e diktaturës shqiptare, i jep jetë “urdhërit” sublim “Rrno për me tregue” si skenariste e producente me filmin AZIZI. Kamera është vendosur në kampet e Tepelenës, Beratit, Turanit e Kuçovës së viteve 1948-1954, do të udhëtoni prej ulëseve të kinemasë për t’u futur në kampet famëkeqe, në një film ku aktorët u kanë dhënë zë e fytyrë emrave, emocioneve, dialogjeve, përjetimeve dhe ngjarjeve pa asnjë element të shtuar a hequr nga e vërteta siç është dokumentuar në kujtesën e të mbijetuarve, madje edhe skenografia është ndërtuar mbi artefaktet e kohës.
Dëshmitë janë marrë nga shumë të mbijetuar, janë përballur me njëra-tjetrën për të rindërtuar historinë në një prodhim unik, origjinal, i pahasur deri më sot nga publiku shqiptar.
Me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer, nesër në 25 tetor në kinema Milenium, vjen një copëz histori me dialogje të vërteta, emra, kronologji e detaje të patjetërsuara, të gjalla e nga fryma e atyre, që jetuan në kampet mbi tokën ku prehen eshtra fëmijësh, nënash, të pafajshmish e ku enden të trazuar prej rrezikut të harresës shpirtra të lënduar.
Për të njohur historinë e dëshmuar, për të shmangur pasojat e harresës, për të pranuar të shkuarën dhe për të shkundur ndërgjegjen, AZIZI ju pret ne Milenium.
Ndihem e privilegjuar të moderoj promovimin dhe bisedën në një prej aktiviteteve më të rëndësishme të Ditëve të Kujtesës, duke i bërë jehonë kujtimeve të gjalla të Azizit e bashkëvuajtësve të tij. Mund të harrojmë ç’na kanë bërë e thënë, por kurrë s’mund të harrojmë si jemi ndjerë. Dhe AZIZI nuk harron, Luljeta Progni e kthen në kujtesë kolektive, atë që ai e të tjerë me të kanë ndjerë, çfarë u kanë thënë e bërë. Një ndalesë për t’u takuar së bashku ata që e provuan, ata që e panë, të tjerë që thjesht dëgjuan për të, ata që refuzuan ta pranojnë, ata që kurrë s’kanë dëgjuar e të tjerë që duhet të kujtojnë për të mos përsëritur më histori si kjo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



