Nesër protesta e PD, blindohen institucionet, amerikanët në ‘alert’
Partia Demokratike e Shqipërisë do të zhvillojë më 20 shkurt, në orën 18:00, një protestë para Kryeministria e Shqipërisë, duke e lidhur tubimin me përvjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxha. Data ka një simbolikë të veçantë për opozitën, e cila e konsideron si moment historik të ndarjes me të shkuarën komuniste.
Dy protestat e fundit të organizuara nga PD janë shoqëruar me tensione, përfshirë përdorim tymuese dhe incidente në përfundim të tubimeve. Për këtë arsye, autoritetet kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie, ndërsa burime paraprake flasin për një pjesëmarrje të lartë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se mbi 1000 efektivë do të jenë në terren dhe në gatishmëri, përfshirë Forcat e Rendit, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-n, si dhe agjentë civilë. Qëllimi, sipas njoftimit zyrtar, është garantimi i rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të protestës.
Nga ora 23:45 e së enjtes do të ndalohet parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, ndërsa nga ora 15:00 e së premtes do të bllokohet qarkullimi në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Në varësi të situatës, mund të ketë kufizime të tjera të përkohshme në akse të ndryshme.
Policia e Tiranës ka bërë apel që qytetarët të shmangin lëvizjet me automjete në zonat e bllokuara dhe të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar duke këshilluar qytetarët amerikanë të shmangin lëvizjet e panevojshme në kryeqytet gjatë protestës. Në njoftim theksohet se personeli diplomatik është udhëzuar të shmangë demonstratën, ndërsa rekomandohet ndjekja e mediave lokale dhe respektimi i udhëzimeve të autoriteteve, pasi tubime të tilla mund të përshkallëzohen dhe të sjellin ndërprerje trafiku apo mbyllje rrugësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



