Berisha njofton protestën e rradhës, paralajmërimi: Do jetë shumë më e dhunshme!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste të re më 20 shkurt, duke lëshuar deklarata të forta politike për vijimin e aksionit opozitar. Njoftimi vjen pas tubimit të mbajtur sot në Tiranë, i cili u shoqërua me tensione dhe përplasje në fund të protestës.
Lidhur me zhvillimet e fundit, avokati Përparim Caca analizoi situatën në një emision televiziv, ku u ndal te krahasimi mes protestës së sotme dhe asaj të 24 janarit. Sipas tij, pjesëmarrja në protestën e fundit ishte disi më e ulët, por episodet e dhunës u shfaqën më të theksuara, veçanërisht në momentet përmbyllëse të tubimit.
Caca vlerësoi se në dy protestat e fundit janë vënë re modele të përsëritura përplasjesh në fund të tubimeve, duke shtuar se shpesh tensionet përshkallëzohen në momentet kur turma shpërndahet. Ai theksoi se çdo formë dhune është e papranueshme, pavarësisht palëve të përfshira.
Sipas tij, zhvillimet e fundit mund të shihen si një paralajmërim për protestën e radhës të thirrur nga opozita më 20 shkurt. Caca parashikoi se tubimi i ardhshëm mund të shoqërohet me tensione edhe më të larta, duke theksuar se përshkallëzimi i situatës nuk i shërben zgjidhjes së krizës politike.
Ndërkohë, deklaratat e forta politike dhe paralajmërimet për vijimin e protestave pritet të rrisin klimën e tensionit në ditët në vijim, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet tubimi i paralajmëruar i opozitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



